20 kombëtare, mbi 250 lojtarë dhe 40 ndeshje… Piqué, Ronaldo dhe Kaká prezantojnë kompeticionin “brazilian”
17 Dhjetor 2025
13:51
Alfred Lleshi
Gerard Piqué, së bashku me ikonat e futbollit brazilian Ronaldo Nazário dhe Kaká, prezantuan zyrtarisht “Kings World Cup Nations 2026” (KWCN26), Kampionatin Botëror për Kombëtare të “Kings League”, gjatë një konference globale për shtyp në São Paulo. Tri legjendat e futbollit, të gjithë fitues të Kupës së Botës, zbuluan një turne të konceptuar për brezat e rinj, por me ambicien për t’i emocionuar tifozët në mbarë botën.
Turneu do të zhvillohet nga 3 deri më 17 janar 2026 në São Paulo dhe do të përfshijë 20 kombëtare, mbi 250 lojtarë dhe 40 ndeshje. Ekipet do të udhëhiqen nga “stream”-erë dhe krijues të mëdhenj përmbajtjesh, legjenda të futbollit dhe lojtarë elitarë të futbollit 7×7.
Mes “kapitenëve” janë Blur, Robert Lewandowski, Wesley Sneijder, Arturo Vidal, Neymar, Kun Agüero, James Rodríguez, Miguel Layún dhe Weston McKennie. Brazili, kampion në fuqi pas fitores 6-2 ndaj Kolumbisë në finalen e vitit të kaluar në Torino, do të jetë vendi pritës i kompeticionit.