“21 Janari”/ “Mund të arrestohem unë e të ‘shpëtojnë’ autorët”, gazetari e zbulon: Rrezikoj 1 vit burg nëse s’tregoj burimin! Në seancën e fshehtë mes meje, gjykatësit dhe… (VIDEO)
Gazetari Artan Hoxha ka treguar detaje nga marrja në pyetje nga prokurorët e posaçëm, ku tha se është pyetur deri në limite nga ana e tyre sa i përket burimit dhe personit i cili ka kryer audio përgjimin.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, Hoxha ka zbardhur procedurat që parashikohen nga ligji në këtë rast, ku tha se SPAK ka të drejtën t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë të posaçme, ku mbahet një seancë e fshehtë mes Hoxhës, një gjyqtari dhe një prokurori, ku gazetari “detyrohet” të japë emrin e burimit.
Nëse ai nuk pranon, rrezikon të dënohet me një vit burg, gjë që ai tha se e ka marrë parasysh tashmë që mund të bëhet realitet.
“Kur kemi të bëjmë me çështje të rëndësishme, legjislacioni shqiptar ka parashikuar një mënyrë tjetër të marrjes së burimit. Sepse unë jam gazetar dhe kemi një Kod Etike, për mbrojtjen e burimit. Prokuroria ka kërkuar burimin, por ai që ka bërë regjistrimin I ka bërë një shërbim shumë të madh vendit sepse ka rrëzuar vendimet e gjykatave të tjera, ka thënë ja që vrasjet janë bërë me urdhër.
Duke qenë se kjo shërben si zanafilla e rihapjes së çështjes kërkohet burimi. Personat e përfshirë në vrasjet janë elita politike e vendit. Prokurorët kanë këmbëngulur në maksimum sa i lejon ligji por unë emrin nuk e jap sepse nuk kam besim. Fati i keq ma la mua në kurriz ta mbaj këtë barrë. Nëse unë nuk e them burimin, i jep mundësi SPAK që t’i drejtohet gjykatës.
Në një seancë sekrete, mes një gjyqtari, prokurori dhe meje, më detyron mua të tregoj burimin. Prokuroria thotë që ngjarja është shumë e rëndë, unë jam para një situate që është vërtetë jo e lehtë. Unë i kam marrë parasysh pasojat që kur kam denoncuar.
Çështja vërtetë është e një rëndësie të veçantë, por është shumë e rëndësishme ruajtja e burimit. Betejë për herë të parë me legjislacionin në këtë aspekt. Nëse unë nuk e tregon burimit, legjislacioni parashikon deri në 1 vit burg.
Ndaj them që në vend të autorëve në burg të përfundojë gazetari. Duke parë ç’ka ndodhur në të kaluarën, është shumë e rrezikshme të japësh burimin. Tani jemi para faktit a mund ta marrë gjykata vendimin për dënimin tim? Po, por unë nuk e jap burimin, mund të krijojë precedent. Nëse ne detyrohemi të japim burimet na cënohet besueshmëria”, tha ai.
© BalkanWeb