29 Nëntori/ 81-vjetori i Çlirimit, politika homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Të pranishëm Begaj, Rama dhe Peleshi
Shqipëria përkujtoi sot 81-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit” po zhvillohen homazhe në nder të kësaj dite.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, drejtues vendorë, veteranë, familjarë të dëshmorëve etj.
29 Nëntori është dita e të rënëve për lirinë e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ushtria nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi luftë të armatosur, të organizuar kundër okupimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Kjo datë, u sanksionua e u skalit edhe si data e Çlirimit të Shqipërisë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb