3 fëmijët e vetëm në shtëpi në Durrës, juristja: Nuk është rast i izoluar. Nënat kalojnë shpesh në depresion për shkak të stresit social
Megi Korbi juriste në Gjykatën e Tiranës ishte sot e ftuar në “News24 Fundjavë” ku po diskutohet rasti i ndodhur në Durrës, kur tre fëmijë u gjetën të vetëm në banesë.
Ajo u shpreh se shpesh nënat përballen me stress të shtuar social pasi baballarët nuk plotësojnë detyrimet të cilat u janë përcaktuar nga gjykata, në aspektin financiar, apo duke u përballur shpesh edhe me braktisje nga familjet e tyre.
“Ky nuk është as rasti I parë dhe as i fundit. Ka shumë raste të tilla në Shqipëri por ky është bërë viral. Rasti ishte bërë i ditur që nga nëntori 2025 kur kanë nisur mungesat e fëmijëve në shkollë, por që atëherë ajo që duhet analizuar është përgjegjësia kolektive, sa arritëm të bënim ne.
Kultura jonë si shoqëri është që të rendim të gjejmë fajtorin, ajo që më vjen keq është linçimi që i bëhet nënës pavarësisht se nuk dal dot në konkluzione pa përfunduar hetimi i plotë.
Nëse do të bënim një analogji me rastet e tjera është mënyra se si informacioni mbërrin në familje që janë në kushte të tilla dhe nuk kanë mundësi të delegimit të rastit ajo që është e rëndësishme. Shqipëria nuk është vetëm 2-3 qytete të mëdha dhe nuk duhet të harrojmë ato që ndodh në zona të thella.
A kanë të gjithë mendësinë të kuptojnë drejt ngjarjen. Kemi pasur raste në gjykata ku prindërit e kanë shprehur qartë që kanë kërkuar ndihmë por nuk u është dhënë, trajtimin me psikolog e kanë frikë për ndarje nga prindërit. Pikënisjen ky problem e ka në stresin social dhe shtytjen që ka sfida e të prindëruarit vetëm, flasim për gratë që janë prindër të vetme pasi janë të veja ose janë divorcuar.
Të shumta janë rastet kur baballarët nuk paguajnë as kontributin për fëmijët, çka ka çuar nënat në depresion, të cilat shpesh ndodh të braktisen edhe nga familja e saj”, tha ajo.
© BalkanWeb