30 vite Prokurime Publike/ Rama: Shqipëria sot lidere në rajon për integritetin e sistemit
Gjatë ceremonisë së 30-vjetorit të Prokurimeve Publike, kryeministri Edi Rama deklaroi se rezultatet e arritura në këtë sektor tregojnë qartë vullnetin e shtetit për të luftuar një problem të madh e të trashëguar si korrupsioni. Sipas tij, progresi i bërë në këtë drejtim “nuk është i diskutueshëm”, ndërsa ndryshimet në pasqyrat e të dhënave krahasuar me disa vite më parë përbëjnë, siç tha ai, “një dallim të dukshëm”.
Rama vlerësoi punën e Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke theksuar rolin e drejtoreshës dhe skuadrës së saj që, sipas tij, “kanë udhëhequr një proces të jashtëzakonshëm”, në të cilin është bashkuar edhe Komisioni i Prokurimit Publik. “Falë kësaj pune, Shqipëria sot është vend lider në rajon në fushën e prokurimit publik”, tha ai.
Duke folur për monitorimet e institucioneve të BE-së, Rama theksoi se ato nuk janë thjesht raporte rutinë, por analiza të bazuara në ekspertizë të lartë profesionale. “Janë raporte të bëra nga njerëz që kur ulen në tryezë, zemrën e kanë lënë në shtëpi. Matja e integritetit të atyre që qëndrojnë pas procedurave është puna e tyre e përditshme”, tha ai.
Sipas Kryeministrit, vlerësimet pozitive të BE-së në kuadër të hapjes së negociatave flasin më shumë se çdo koment dhe tregojnë se Shqipëria ka vendosur standarde të reja në administrimin e prokurimeve publike.
© BalkanWeb