“50 milionë euro të vjedhura, e faktuar me dokumente”, Berisha: Balluku dhe Rama i ndanë bashkë paratë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër para protestuesve të mbledhur sot përpara Kryeministrisë, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe kapje të shtetit. Ai e cilësoi sheshin e protestës si “sheshi i lirisë”, vendin ku sipas tij shqiptarët po ngrihen kundër një “bande të zhytur në krim”.
“Ky është sheshi i guximtarëve që po përzënë nga pallatet e pushtetit një bandë të zhytur në krim dhe vjedhje, ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi,” deklaroi Berisha.
Berisha foli për një krizë të thellë politike dhe institucionale, të cilën e përshkroi si “një ndër më të paimagjinueshmet”, duke akuzuar Ramën se është “hajduti më i madh në historinë e shqiptarëve”.
Sipas tij, hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe akuzat për një dëm ekonomik prej 50 milionë eurosh kanë ekspozuar drejtpërdrejt kryeministrin.
“U desh akuza e bazuar në dokumente zyrtare për vjedhjen e 50 milionë eurove nga Balluku, që Edi Rama të thoshte para shqiptarëve ‘hajduti jam unë’ dhe se drejtësisë i tregon brrylin. Nuk ka ndodhur kurrë kjo,” u shpreh Berisha, duke shtuar se në çdo vend demokratik një kryeministër do të jepte dorëheqjen menjëherë.
Berisha tha se Rama “nuk e largon dot Ballukun” sepse, sipas tij, “vjedhja është bërë me urdhër të tij dhe paratë janë ndarë bashkë”. Ai shtoi se kjo është “vetëm një pjesë e vogël” e aferave të përbashkëta mes tyre.
Në vijim të fjalimit, ai akuzoi Ramën se prej dy ditësh ndodhet në “përcartje të neveritshme” duke u hedhur hapur në mbrojtje të Ballukut.
“Thotë: po mbroj ministren, jo Lubi Ballukun, po mbroj kryeministrin, jo Edvinin. Por jeni të dy hajdutë,” deklaroi Berisha para turmës.
Ai shtoi se sjellja e Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese është, sipas tij, “prova që është hajduti kryesor i kësaj afere”.
© BalkanWeb