Presidenti Trump konfirmon: Do të zhvillohen 9 duele për titullin në eventin e Shtëpisë së Bardhë
12 Dhjetor 2025
13:08
Telesport
Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka zbuluar se mund të ketë deri në nëntë duele për titullin kampion bote në eventin e arteve marciale mikse që është menduar të organizohet në Shtëpinë e Bardhë verën e ardhshme. Trump, i apasionuar pas këtij sporti dhe mik i ngushtë i presidentit të UFC-së, Dana
white, do të organizojë një ngjarje historike në Shtëpinë e Bardhë më 14 qershor, për të festuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës.
Presidenti Trump tha: “Do të jetë 14 qershori i vitit të ardhshëm. Ata po ndërtojnë një arenë. I madhi Dana White po ndërton një arenë. Ata do të kenë tetë ose nëntë sfida për titullin kampion. Janë sfidat më të mëdha që kanë pasur ndonjëherë”.
Sipas Trump, White dhe ndërmjetësuesit e UFC-së po i mbajnë disa ndeshje të caktuara në dilemë posaçërisht për ngjarjen. Ai shtoi: “Dana, në fakt, po i shtyn ndeshjet tani për gjashtë muaj, në mënyrë që t’i zhvillojë ato në 250-vjetorin e Amerikës”.
“Mendoj se 250-vjetori do të jetë i mrekullueshëm, arena do të ketë pesë ose gjashtë mijë vende pikërisht para derës së Shtëpisë së Bardhë. Nuk mendoj se do të ketë diçka të ngjashme. Do të jetë të dielën në mbrëmje, më 14 qershor, ditën e flamurit”, tha Trump.
Presidenti i Amerikës, i cili mbush 80 vjeç natën e eventit, këmbëngul se ky aktivitet do të jetë ndryshe nga çdo tjetër i mbajtur në historinë e UFC-së dhe Shtëpisë së Bardhë. “Rastësisht është ditëlindja ime, por nuk e bëra për këtë arsye. Ata nuk e dinin, por e zgjodhën. Do të kritikohem pak për këtë”, shtoi Trump.
Tifozët e MMA-së në të gjithë botën presin të mësojnë duelet që do të zhvillohen. Dana White e përjashtoi mundësinë që Jon Jones të jetë në event, por mund të rikthehet Conor McGregor.