Tensionet me SHBA rriten pas sekuestrimit të cisternës/ Rivalja e presidentit venezuelian e bindur: Maduro do të largohet nga pushteti!
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen të këtij viti, Maria Corina Machado, deklaroi sot se presidenti venezuelian Nicolas Maduro do të largohet nga pushteti, si me një tranzicion të negociuar, ashtu edhe pa të, ndërsa theksoi se synimi i saj mbetet një ndryshim paqësor i qeverisjes. Ajo shtoi se zgjidhja e krizës venezueliane është një prioritet edhe për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe u shpreh e bindur se, pas transferimit të pushtetit, forcat e armatosura dhe policia e vendit do t’u binden institucioneve demokratike.
Gjatë muajve të fundit, forca ushtarake amerikane janë vendosur pranë brigjeve të Venezuelës, në një periudhë tensionesh të rritura midis Uashingtonit dhe Karakasit. Disa persona kanë humbur jetën në operacione kundër anijeve që, sipas autoriteteve amerikane, transportonin drogë. Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të enjten nga Shtëpia e Bardhë se ushtria amerikane është gati të nisë operacione tokësore në Venezuelë për të ndaluar trafikun e dërgesave narkotike drejt SHBA-së.
Presidenti republikan ka lëshuar paralajmërime të ngjashme ditët e fundit, ndërsa nga ana tjetër Nicolas Maduro akuzoi Shtetet e Bashkuara për “pirateri detare” pas sekuestrimit të një anijeje cisternë nafte nga forcat amerikane të vendosura pranë brigjeve venezueliane. Ai deklaroi se sekuestrimi përbën një veprim të paligjshëm dhe të rrezikshëm, duke pretenduar se anija ishte ndaluar në ujërat veriore të Trinidadit dhe Tobagos, teksa po vazhdonte rrugën drejt ishujve të Grenadës.
Sipas Maduros, cisterna transportonte afro dy milionë fuçi naftë të parapaguar nga blerësit në tregjet ndërkombëtare. Media e specializuar MarineTraffic raporton se anija “Skipper” mbante rreth 1.1 milion fuçi naftë të papërpunuar, ndërsa një burim i cituar nga Washington Post sugjeroi se destinacioni i saj mund të ketë qenë Kuba. Presidenti venezuelian shprehu shqetësim për fatin e ekuipazhit, duke thënë se nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre dhe se autoritetet po përpiqen të ndërmarrin hapa ligjorë dhe diplomatikë për të adresuar situatën.
Maduro u zotua se Venezuela do të garantojë sigurinë e të gjitha anijeve që transportojnë naftën e saj, duke theksuar se vendi ka të drejtë të zhvillojë tregti të lirë në tregun global pavarësisht embargos amerikane të vendosur që prej vitit 2019, e cila e ka detyruar Karakasin të shesë naftën në tregje alternative me çmime të ulëta.
© BalkanWeb