E rrallë! Babai përballet me vrasësin e 3 fëmijëve të tij. Historia që tronditi Australinë
Një nga takimet televizive më tronditëse në historinë e gazetarisë australiane u regjistrua nga 7NEWS Spotlight, duke hyrë brenda njërit prej burgjeve më të ashpra të sigurisë maksimale në vend. Danny Abdallah, babai që humbi tre nga gjashtë fëmijët e tij, u përball ballë për ballë me vrasësin e tyre për herë të parë.
Tragjedia që ‘ngriu’ Australinë
Në vitin 2020, Samuel Davidson, atëherë 29 vjeç, ishte tre herë mbi limitin e lejuar të alkoolit, nën ndikimin e drogës dhe duke drejtuar makinën në mënyrë të pakujdesshme, kur u ngjit në një trotuar në Oatlands. Brenda pak sekondash, ai mori para shtatë fëmijë. Katër prej tyre, vëllezërit e motrat Antony (13), Angelina (12) dhe Sienna (8) Abdallah, si dhe kushërira e tyre 11-vjeçare Veronique Sakr , u vranë në vendngjarje. Tre fëmijë të tjerë u plagosën. Davidson u dënua me 20 vjet burg, me një minimum prej 15 vjetësh për të vuajtur.
Qëndrimi i Danny dhe Leila Abdallah tronditi australianët. Çifti kishte deklaruar publikisht se e falnin burrin që ua mori fëmijët, një akt që shumë e përshkruan si “mbinjerëzor”.
Pesë vjet më vonë, Danny bëri të paimagjinueshmen. Ai shkoi vetë në burg për ta takuar atë. 7NEWS Spotlight kapi një moment thellësisht njerëzor, që binte në kontrast të plotë me atë që dimë për drejtësinë dhe pendimin. Samuel Davidson foli për atë ditë, duke zbuluar për herë të parë detaje të reja rreth shkaqeve të sjelljes së tij, sekuencës shkatërruese të ngjarjeve dhe mënyrës se si jeton me pasojat e krimit të tij.
“Kaluam një javë të tërë brenda burgut, në një mjedis ku kamerat televizive janë pothuajse gjithmonë të ndaluara. Ajo që pashë atje ishte diçka që nuk e prisja kurrë dhe ende e kam të vështirë ta përshkruaj”, tha gazetari Michael Usher, i cili e ka ndjekur çështjen për tetë vjet.
© BalkanWeb