“Guardiolën e injoroj thellësisht, gjithçka e bën me demagogji populiste të tmerrshme”
13 Dhjetor 2025
11:50
Alfred Lleshi
Ende po bën jehonë deklarata e Pep Guardiolës në sallën e shtypit të “Santiago Bernabéu”, para ndeshjes së Champions League mes Manchester City dhe Real Madridit. Trajneri katalanas, i pyetur për krizën e skuadrës madrilene, i dha një “këshillë” Xabi Alonsos, që shkaktoi shumë polemika. Komenti nuk u prit mirë nga disa madrilenë, mes tyre edhe gazetari Tomás Roncero.
Ai e cilësoi deklaratën si të “një ordinerí” dhe akuzoi Guardiolën për mungesë respekti: “Është shumë i edukuar kur i leverdis, por kur nuk do, lëshon batuta të rënda duke menduar se po bën zhurmë”. I zemëruar, ai shtoi: “Guardiolën e injoroj thellësisht. Nuk humbas kohë me dikë që gjithçka e bën me demagogji populiste të tmerrshme. Njerëzit si unë, të rritur në Carabanchel, ai nuk i mashtron dot”.
Ja deklarata që bëri Guardiola: “Xabi Alonso të urinojë me të vetën. Ai nuk urinon parfum, kështu që ndoshta do të bëjë mirë, do ta shihni. Ja ku e keni titullin, apo jo?” – tha ai duke iu referuar një kritike të vjetër që iu bë atij nga madrilenët, gjatë kohës te Barcelona. Pep shpesh akuzohej se “urinonte parfum”, një shprehje që nënkupton se dikush mendon se është perfekt, ose mbi të tjerët.