VIDEO/ Krujë, banorët në fshatin Bilaj ankohen për rrugën e dëmtuar nga kompania e ndërtimit, kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë
Banorët e fshatit Bilaj në Krujë ankohen për gjendjen e mjerueshme ku ndodhet rruga që lidh fshatin e tyre me pjesën tjetër të vendit.
Rruga prej afro 4 kilometrash është totalisht e degraduar dhe për këtë banorët bëjnë fajtorë firmën GENER 2 e cila ka përdorur këtë rrugë, por edhe rrugë të tjera për të ndërtuar autostradën me pagesë.
Rreth 2000 banorë të këtij fshati, por edhe të fshatrave përrreth, janë të detyruar të zgjedhin gropën në të cilën duhet të kalojnë pasi në disa vende asfalti është zhdukur totalisht duke të lënë përshtypjen që aty s’ka patur kurrë asfalt.
Janë me dhjetëra kamjona të tonazhit të rëndë të firmës GENER 2 që kalojnë dhe sot çdo ditë në këtë rrugë rurale, por gjatë ndërtimit të autostradës Thumanë-Kashar numri i tyre shkonte në disa qindra.
Kompania e përdor këtë rrugë pasi në këtë fshat në të dy anët e autostradës ajo ka ndërtuar dy impiantë të përpunimit të asfalto-betonit.
Banorët thonë se për këtë janë vënë në dijeni si kryetari i bashkise Krujë, por edhe deputetët e zonës të cilët ju kanë thënë banorëve se rikonstruksioni i rrugës është detyrim i kompanisë Gener 2 por sipas tyre kompania nuk do t’ja dijë dhe vijon punë pa kokëçarje duke i lënë banorët e kësaj zone me një rrugë të degraduar.
Ata kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë duke vënë para përgjegjësisë kompaninë që ka detyrim ligjor rikonstruksionin e rrugëve që ka dëmtuar.
© BalkanWeb