Makina e re/ Të gjithë duan Aston Martin, Fernando Alonso nuk e lëshon
Është një makinë që i tundon të gjithë, por Fernando Alonso nuk ka ndërmend ta lërë. Bëhet fjalë për Aston Martin, e cila në vitin 2026 do të zbresë në pistë për herë të parë me firmën e Adrian Njueit dhe me motorin e ri Honda.
Në perspektivë, një kombinim potencialisht fitues, që ka tërhequr tashmë vëmendjen e pilotëve si Maks Vershtapen, Sharl Lëklerk dhe pse jo edhe kampionit të ri të botës Lando Norris si dhe shokut të tij të skuadrës Oskar Piastri, ku shumëçka është në varësi të ecurisë së tyre me MekLarenin. Ndërkohë, Alonso, i cili në fund të korrikut do të mbushë 45 vjeç, duhet të shpejtojë në tentativën për titullin e tij të tretë botëror, ose të paktën për fitoren e shumëpritur, të 33-ën.
E fundit daton që nga Çmimi i Madh i Spanjës 2013 me Ferrarin. Tendenca e viteve të fundit nuk ka qenë shumë inkurajuese për dyshen Alonso – Aston Martin: nga vendi i jashtëzakonshëm i katërt në 2023-shin, skuadra ka rënë në kufijtë e poshtëm të top 10 në dy sezonet e fundit. Megjithatë, perspektivat duken sërish pozitive dhe interesi i disa pilotëve të kalibrit të lartë është prova më e qartë.
Holandezi Maks Vershtapen po vëzhgon nga larg: ai ka nevojë për një makinë në nivel të lartë për të rifilluar ndjekjen e tij drejt shtatë titujve të Hamiltonit dhe Shumakerit. Nëse Red Bull nuk ia garanton këtë në vitin 2026, në horizont mund të shfaqet pikërisht Aston Martin, aty ku Maks do të gjente sërish Njuein dhe Hondën.
© BalkanWeb