Partizani me fitore të rëndësishme ndaj Flamurtarit, të kuqtë afër “Final Four”. Elbasani merr tri pikë të arta në fund
13 Dhjetor 2025
18:31
Telesport
Janë luajtur këtë pasdite dy ndeshjet e para për javën e 16-të në Abissnet Superiore. Në “Arenën e Demave”, Partizani vazhdon me ecurinë pozitive nën drejtimin e Oltion Kërnaajës, duke mundur sot 2-1 Flamurtarin.
Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 32-të, me një aksion të bukur të të kuqve, ku Isgandarli gjen rrjetën, pas asistit të bukur të Tomës. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, 1-0.
Barazimi i përkohëshëm i vlonjtaëve do të vinte në minutën e 70-të, ku Herald Marku do të dregohej i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar pas një kontakti në zonë mes Maksutit për miqtë dhe Mehmetit për vendasit. Arbitri e quajti ndërhyrje të rregullt, por ndërhyn VAR dhe arbitri ndryshon mendim, duke dhënë penallti për vlonjatët.
Në minutën e 85-të, Partizani rigjen avantazhim me Xhuljano Skukën nga penalltia, e fituar nga vetë ai, pas një kontakti brenda në zonë me mbrojtësin e Flamurtarit, Squadrone dhe ndërhyrjes së VAR. Partizani fiton 2-1 dhe ngjitet në vendin e 5-të me 23 pikë, dy pikë më pak se Vllaznia e vendit të katërt, vend që të dërgon në “Final Four”.
Ndërkohë në sfidën tjetër, Elbasnai fitoi në transfertë ndaj Vorës 0-1 me një gol shumë të bukur të Ze Gomes në minutën e fundit shtesë, pas një topi të ardhur nga rivënia anësore nga Emiliano Musta. Elbasani fiton 0-1 dhe vazhdon të mbajë kryesimin me 32 pikë.