Gurët e shtëpisë time/ Voskopojë: “Si shtëpia tënde nuk ka!”
KORÇË- Voskopoja në pjesën Jug-lindore të Shqipërisë, ishte gjatë shekullit të 18 një qendër shumë e rëndësishme tregtare dhe kulturore. Në kulmin e saj gjatë shekullit të 18 kishte shtëpinë e parë botuese të Ballkanit pas Stambollit, institute edukimi dhe një numër të madh kishash.
Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton që nga viti 1330, por lulëzoi në kulmin e saj në vitin 1764, kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Kishte Akademi, Bibliotekë, tregti të zhvilluar dhe shërbeu si urë lidhëse edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.
Panajot Falo, emigroi nga Voskopoja ne Zakynthos, në Greqi, dhe siç na thotë, “vjen nje dite dhe kthehesh ne vendin tend”. “Shtëpia e prindërve, vendi tënd, trualli tënd, kurrë nuk shitet…jam I kënaqur se jam në shtëpinë time. Në vend të huaj mbetesh i huaj gjithmonë.”
Një familje nga Tirana, ka emigruar në Gjermani, dhe ka ardhur të shijojë Voskopojën, ushqimet tradicionale, ajri i pastër, pastërtia, lakrori, petullat dhe mishi i pjekur. “Lakrori i pari, mishi shume i mire, buka e ngrohte e bere vete”.
Luan Nepravishta dhe gruaja e tij Ilektra, kanë lënë Tiranën për Voskopojën, dhe janë bërë tashmë voskopojarë. Njerëzit janë shume mikpritës, te ndihmojnë sa here te kesh nevoje, na thonë.
Për familjen e ardhur nga Gjermania, buka e bërë vetë, të jep “ndjesinë sikur je në shtëpi”. Dhe, nuk mund të largohesh nga Voskopoja, pa pirë pak ujë nga çezma e gurtë. Ky fshat ka shume dashuri, tradite, mikpritje, dhe patriotizëm!