SHBA dhe Ukraina diskutojnë për armëpushimin, para samitit evropian
schedule22:41 – 13 Dhjetor, 2025
Kryeqyteti i Gjermanisë do të jetë nikoqir i delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilat do të diskutojnë mbi armëpushimin në Ukrainë, përpara se për ndaljen e luftës së Rusisë të mbahet samiti i liderëve evropianë. Diskutimet shihen si sinjal se Washingtoni zyrtar sheh shanse për përparim në çështjen e armëpushimit, pas propozimit amerikan të planit për paqe. E në këtë plan, sipas dy medieve prestigjioze ndërkombëtare, parashihet edhe anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitin 2027.
Gjermania do të jetë nikoqire e një takimi të fundjavës midis delegacionit amerikan, atij të Bashkimit Evropian dhe ukrainas për arritjen e armëpushimit në Ukrainë, në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara të SHBA-së dhe BE-së për ndaljen e luftës së nisur nga Rusia.
Në takimin që do të zhvillohet në Berlin, para mbajtjes së samitit të liderëve evropianë, delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.
Përzgjedhja e Witkoffit për ta udhëhequr delegacionin shihet si sinjal se Washingtoni zyrtar sheh shanse për përparim në çështjen e armëpushimit, pas planit të propozuar amerikan për paqe. Për këtë plan Britania e Madhe, Franca dhe Gjermani janë angazhuar për të siguruar disa ndryshime, pasi që drafti i publikuar muajin e shkuar i bën thirrje Ukrainës t’ia lëshojë Rusisë disa territore si dhe të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO.
E të shtunën kancelari gjerman, Fridrich Merz, ka thënë se Evropa duhet të përgatitet për ndryshim themelor në marrëdhënien e saj me SHBA-në, në kohën kur përballet me kërcënim në rritje nga Rusia.
“Dekadat e Pax Americana kanë mbaruar kryesisht për ne në Evropë, edhe për ne në Gjermani. Nuk ekziston më ashtu siç e dinim. Dhe nostalgjia nuk do ta ndryshojë këtë. Amerikanët tani po i ndjekin shumë më agresivisht interesat e tyre. Dhe kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: që edhe ne tani duhet t’i ndjekim interesat tona”, ka thënë Merz.
Në kuadër të iniciativës për ndaljen e luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pati të premten takim me homologun rus, Vladimir Putin.
E të shtunën Erdogani është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje.
“Pas takimit me Putinin shpresojmë që ta kemi mundësinë për ta diskutuar planin e paqes edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Paqja nuk është larg; ne e shohim këtë”, ka thënë Erdogan.
Një ditë më parë mediat “Financial Times” e Associated France Press raportuan, duke u bazuar në burime, se plani amerikan i paqes e parasheh anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian më 1 janar të 2027-s.
Sipas “Financial Times”, propozimi është duke u negociuar nga zyrtarë amerikanë e ata ukrainas, me mbështetjen e Brukselit. Por, anëtarësimi i shpejtë i Ukrainës në bllokun evropian mund të shqetësojë disa vende të BE-së, ndonëse administrata Trump beson se për këtë do të mund të tejkalohet kundërshtimi i Hungarisë.
Në funksion të shmangies së vetos nga Hungaria si edhe nga Sllovakia, BE-ja është dakorduar gjithashtu që t’i ngrijë për kohë të pacaktuar të gjitha mjetet financiare të bankës qendrore ruse të mbajtura në Evropë, duke hequr një pengesë të madhe për përdorimin e parave të gatshme për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër Rusisë.
Pajtimi për ngrirjen e 210 miliardë eurove nga asetet ruse për aq kohë sa të jetë e nevojshme e eliminon rrezikun që Hungaria dhe Sllovakia, të cilat kanë marrëdhënie më të mira me Rusinë sesa shtetet e tjera të BE-së, të refuzojnë zgjatjen e ngrirjes dhe që në këtë mënyrë ta detyrojnë BE-në t’ia kthejë paratë Rusisë.