DEBATI I PLOTË/ Noka: Me ndikimin tënd u angazhua Suel Çela që të mos vijnë njerëz në foltore! Salianji: 4 vite më parë të akuzuan se me Suelin mblidhje firmat! Si nisi përplasja në Kryesinë e PD
Një debat i fortë tensionoi mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, nga përplasja mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se diskutimi nisi në formë pakënaqësie ndaj takimeve që Salianji ka zhvilluar ditët e fundit me demokratët dhe Noka ishte ndër kritikët e kësaj lëvizje.
Nga ana e tij, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji renditi problemet që kanë shoqëruar aktivizmin opozitar, duke vënë theksin tek paaftësia e PD për të qenë vendimmarrëse në çështjet e rëndësishme politike dhe përballja me mazhorancën. Salianji shkoi deri aty sa i kërkoi dorëheqjen Flamur Nokës për gabimet që bëri PD me firmat e kandidatëve për Avokatin e Popullit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD iu përgjigj kësaj kërkese të Salianjit me një akuzë direkte që lidhet me emrin e Suel Çelës, personazh i botës së krimit. Noka tha se Çela u kishte bërë presion demokratëve për të mos shkuar tek foltorja e Berishës në Elbasan dhe insinuoi se një gjë e tillë ishte rrjedhojë e ndikimit të Salianjit. Ky i fundit paralajmëroi se çdo akuze do t’i përgjigjej me prova dhe emra, ndërsa Nokës i tha se 4 vite më parë ishte akuzuar pikërisht për kontaktet me Suel Çelën me qëllim mbledhjen e firmave të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Debati vijoi me tone të larta, duke reflektuar jo pak situatën e trazuar brenda PD. E gjithë përplasja ndodhi në prani të liderit të PD, Sali Berisha i cili nga ana tjetër gjithashtu nuk i kurseu kritikat për Salianjin, pavarësisht se ky i fundit tha se mbledhja ishte thirrur për të përcaktuar linjën e aksionit politik të opozitës përballë skandaleve Rama-Balluku, por që vëmendja u zhvendos.
Pjesë nga debati në Kryesinë e PD
Flamur Noka: Pas daljes së mediave, sipas pikës 1 të rendit të ditës, e vetmja pikë në rend dite, fillojnë diskutimet për protestën.
Sali Berisha: Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, siç ka 98% të pushtetit, të shkojë 99%.
Jozefina Topalli: Jo mor, mos e gëzoftë.
Sali Berisha: Ta gëzojë. Ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë.
Bislim Ahmetaj: Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz.
Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.
Flamur Noka: Në Durrës nuk kanë qenë demokratë. Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zëra të Dyrmishit dhe Ergysit.
Ervin Salianji: Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD. Pse sot, që nuk mendojnë si ju, janë kundër këta?! Po këta emrat e PS pse nuk i përmendni ju në publik?
Flamur Noka: Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz tek foltorja dhe ky është ndikimi yt (Salianjit).
Ervin Salianji: Ende nuk e kam caktuar takimin, por meqë deri sot kam menduar që s’dua përçarje dhe as dua të flas, po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm, sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit. Pastaj, se kush e takon, ju e dini që jua sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësi.
Flamur Noka: Në Gjirokastër nuk kishe kryesi.
(Salianji lexon gjithë emrat e kryesisë)
Ervin Salianji: Mbi 80% e kryesisë dhe salla plot, por edhe sikur, pse nuk shkon ti, Flamur, apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushë sallat?
Avokati i Popullit ishte gabim strategjik. PD duhet të shkonte me një kandidat. E kemi dërguar para 4 vitesh Ledio Brahon kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama. Nuk mund t’u thuash deputetëve që firmosni kë të doni dhe pastaj thua pse na e hodhi Rama. Duket si pazar te njerëzit dhe ti, Flamur, meqë po i del për zot, duhet të japësh dorëheqjen për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shitur te Rama.
(Ndërhyn Noka…)
Ervin Salianji: Mos më ndërhyj, se është fjala ime. Mendoj që pas kësaj të vëmë mend. Mos ulemi më me Ramën as te reforma zgjedhore, as te territorialja. Të japim propozimin tonë. I imi është të hapen listat, të kemi koalicione parazgjedhore dhe të ndryshojë mënyra e votimit për diasporën. Dhe te territorialja të propozojmë bashkitë sipas propozimeve të demokratëve dhe qytetarëve.
Sali Berisha: Hysen Kadiu ka ikur në fushatë në Amerikë. Ia kam premtuar që do jetë në listë të sigurt, por s’e mbajta dot, por ai iku, ma ka thënë.
Ervin Salianji: Ka qenë në fushatë dhe ka foto të tij nëpër zona dhe duke bërë thirrje në fushatë për të votuar PD.
Sali Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.
Ervin Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.
Sali Berisha: Jo, nuk ka qenë.
Ervin Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.
Sali Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.
Ervin Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.
Bledi Himçi: Mbi interesat personale nuk mund të shesim idealet e PD-së.
Të bësh profanin duke akuzuar deputetët që kanë bërë gabim se kanë firmosur për Endri Shabanin, kur ti ke qenë iniciatori për mbledhjen e firmave për Endri Shabanin, kjo nuk të nderon dhe nuk ka moral. Mua ma ke kërkuar personalisht ti dhe unë nuk pranova të firmosja. Ua ke kërkuar edhe kolegëve të tjerë dhe ata, në mirëbesim, ta dhanë.
Nuk mund të qëndrojnë në Partinë Demokratike edhe demokrati idealist, edhe pazarexhiu. Nuk mund të qëndrojnë në PD edhe militanti, edhe ai që helmon çdo ditë në media apo rrjete sociale, në emër të faktit që po i dhimbsen demokratët, ndërkohë që kanë punuar hapur në zgjedhjet e 11 majit.
Ervin Salianji: As kam qenë në Elbasan këtë periudhë, as kam bërë takim deri tani. Ndërkohë, çfarë të them, të kanë detyruar ta thuash dhe e thua, por kujtohu se po e shoh që as emrin nuk e paske në listë. Qesharak mund të bëhesh edhe me vetëdije.
Sali Berisha: Takimet i kam konsideruar private.
Ervin Salianji: Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet.
Tomor Alizoti: Jemi në një situatë të vështirë. Shqiptarët janë të mërzitur me Ramën dhe Ballukun, për vjedhjet e tyre të mëdha. Mediat e pushtetit, me këtë mbledhje duan që të kanalizojnë zemërimin e njerëzve tek ne. Nuk duhet ta lejojmë këtë, duhet t’u tregojmë të gjithëve që jemi bashkë. Kjo është e vetmja shpresë për shqiptarët.
Belind Këlliçi: Sa i takon protestës unë mendoj se duhet të kemi të qartë çfarë do bëjmë. Cili është plani a, cili është plani b dhe cili plani c. Ne duhet të vijojmë aksionin tonë, me këtë protestë të fuqishme, të egër dhe duhet të kërkojmë e punojmë që në shesh të jenë sa më shumë njerëz. Pra 22 dhjetori nuk duhet të jetë shëtitje. Dua të bëj edhe një propozim. 22-shi është e hënë, mos duhet ta çojmë të dielën?
Sali Berisha: Edhe sikur 300 të jenë, ne do t’u përgjigjemi. Nuk ka rëndësi pjesmarrja.
© BalkanWeb