“Bashkia partner i sigurt i fshatit”/ Rama me fermerët: Buxheti do vazhdojë të rritet! Shqipëria do ketë Bankën e Zhvillimit
schedule12:55 – 15 Dhjetor, 2025
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, ku diskutoi mbi prioritetet dhe mbështetjen financiare të parashikuar në Buxhetin e vitit 2026.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se buxheti për bujqësinë është rritur dhe do të vijojë të rritet, por mbetet ende i pamjaftueshëm krahasuar me potencialin që ekziston për të financuar fermat, kërkimin shkencor dhe sipërmarrjet bujqësore.
Ai vuri në dukje rëndësinë e mundësive të reja që sjell afrimi me Bashkimin Europian, krijimi i Bankës së Zhvillimit dhe linjat e reja të kreditimit në fokus bujqësinë, si edhe rolin kyç të bashkive për t’u bërë partnerë të drejtpërdrejtë në mbështetje të fermerëve dhe zhvillimit të zonave rurale.
“Buxheti është rritur dhe do të vazhdojë të rritet, por buxheti është shumë pak në krahasim me shumë mundësi që ka për të rritur financimin për fermat tuaja, për të financuar kërkimin shkencor në sipërmarrjet tuaja. Vlerësojeni si një mundësi të shtuar që na jep kjo mundësi afrimi me Bashkimin Europian, mundësi financimi që na përgatit për konkurrencën e hapur me tregun kombëtar. Këtë vit finalizojmë edhe Bankën tonë të Zhvillimit.
Shqipëria do të ketë Bankën e Zhvillimit që është në favor të financimit dhe të mbështetjes suaj. Linja e re e kreditimit me në fokus bujqësinë e Bankës së Shqipërisë, është aty dhe ju pret ju. Nga an tjetër e kam thënë në mënyrë të përsëritur dhe dua ta nënvizoj që bashkitë dhe institucionet tona duhet që të ngrihen në lartësinë të nevojës suaj për mbështetje, për të mos qenë vetëm në këtë hap. Bashkitë e kanë mundësinë që të bëhen partner i sigurt i fshatit, fermerëve dhe fermës. I takon bashkisë që të vijë te ju”, tha kryeministri Rama./abcnews.al