“Berisha ka një frymë antidemokratike”/ Çupi: PD e ka humbur misionin e saj, s’ mund të ketë asgjë të mirë për vendin
Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “News Line” në ABC News, dha një analizë të ashpër mbi situatën aktuale në Partinë Demokratike dhe rolin e saj në jetën politike të vendit.
Sipas Çupit, PD nuk po shfaq asnjë shenjë ndryshimi dhe vijon të mbetet e lidhur ngushtë me figurën e Sali Berishës, duke ruajtur një frymë antidemokratike.
Ai theksoi se partia e ka humbur misionin e saj politik, është rikthyer në praktika të vjetra dhe, në raport me institucionet e drejtësisë dhe zhvillimet kryesore të vendit, po shkakton më shumë dëme dhe trauma sesa zgjidhje, duke mos ofruar më asnjë perspektivë pozitive për të ardhmen e Shqipërisë.
“Nuk ka një hendek mes Dumanit dhe Brahos dhe kjo e ka trembur klientin Berisha. Ajo që dëgjova prej Brahos më krijoi impresionin se është një gjuhë shumë profesionale, por edhe e prerë, e kursyer dhe shumë e drejtpërdrejtë. Në raport me Berishën, ai shtoi diçka nga diskurset e Dumanit, shtoi diçka të re, Braho tha se krimin nuk e luftojmë dot vetëm. Lëshoi sinjalet e një bashkëpunimi me elementet e shoqërisë, inteligjencës dhe politikës.
Çfarë do të ndodhë?! Këtë nuk mund ta them. Berisha po shfaqet si një klient shumë i dashur i Gjykatës së Krimeve të rënda. Po përdoret një instrument jo europian, jo demokratik, siç është trupa speciale. Në pamjen time në PD nuk po ndodh asgjë, të gjithë kërkojnë që të ruajnë marrëdhëniet me Berishën. Për sa kohë që është Berisha ka një frymë antidemokratike. PD nuk ndryshon, e ka humbur misionin e saj. PD është kthyer në vitin 2017, kur i dogji të gjitha mandatet. Është e dyta herë që ligjin për ‘territoret’ e abandonin PD. Në raport me gjykatat dhe prokurorisë kemi një pamje të njohur. “21 Janarin” për përpiqen që ta çojnë jashtë kufijve, gjërat janë shumë të ngadalshme, ose të ndryshueshme.
Gjithmonë do të mungojë një avokat, një Sali dhe një gjykatës. Gjykata Speciale po luan keq me shtetin dhe me frymëmarrjen e këtij vendi. Po ndodh zvogëlimi i së keqes më së madhe, PD. Berisha, po e bën më të vogël dhe më të neveritshme. PD ka lindur e dështuar, ka lindur nga kundërshtari i vet i ashtuquajtur. PD nuk është themeluar nga Berisha, por nga Ramiz Alia. PD u kthye në dëm të vendit, është një parti që shkakton vetëm dëme dhe trauma. Nuk mund të pritet më asgjë nga PD, nuk mund të ketë më asgjë të mirë për vendin”, tha Frrok Çupi./abcnews.al