Jo më ndeshje tenisi në kushte ekstreme, rregulla të reja kundër temperaturave të larta e lagështisë
16 Dhjetor 2025
10:37
Telesport
Një rregull kundër vapës. Pas polemikave të sezonit të kaluar, ATP (Federata Ndërkombëtare e Tenisit) po prezanton një rregull për vitin 2026 që mund të çojë në pezullimin e ndeshjeve nëse temperatura, lagështia dhe era tejkalojnë kufijtë e përcaktuar.
Shoqata e lojtarëve profesionistë të tenisit ka njoftuar futjen e një protokolli për vapën ekstreme. Rregulli është tashmë në fuqi në qarkun WTA. “A doni që një lojtar të vdesë në fushë?” pyeti lojtari danez Holger Rune në tetor, gjatë turneut të Shangait, ku temperaturat tejkaluan 30 gradë Celsius, me nivele lagështie mbi 80%.
Tani, për të forcuar mbrojtjen e lojtarëve që garojnë në kushte ekstreme, një tenist do të jetë në gjendje të kërkojë një pushim dhjetë minutësh gjatë setit të tretë për t’u freskuar nëse indeksi WBGT, i cili merr parasysh temperaturën, lagështinë dhe erën, arrin 30.1 gjatë dy seteve të para.
Ndeshja do të pezullohet nëse ky indeks tejkalon 32.2. Rregulli i ri, thekson ATP, synon të “mbrojë shëndetin e lojtarëve”, por edhe të “përmirësojë kushtet për spektatorët, gjyqtarët, djemtë e topit dhe ekipin organizator të turneut”.
Deri më tani, vendimet në lidhje me kushtet e lojës që lidhen me motin, veçanërisht nxehtësinë, ishin përgjegjësi e mbikëqyrësit të turneut, në konsultim me ekipet mjekësore dhe organizatorët vendas. Sezoni i ATP 2026 fillon më 2 janar në Australi me United Cup (një turne i ekipeve kombëtare).