Fury rikthehet në ring për një duel me Joshua nëse arrihen kushtet e duhura, sfida në verën e vitit 2026
16 Dhjetor 2025
12:06
Telesport
Boksieri britanik Tyson Fury ka deklaruar së fundi se do të rikthehet në ring për një duel kundër patriotit të tij Anthony Joshua nëse do të arrihet “marrëveshja e duhur”. Lajmin e konfirmoi promotori i tij Frank Warren, që konfirmoi se negociatat për përballjen e shumëpritur po zhvilloheshin.
Nëse ato do të kishin sukses, atëherë sfida do të ndodhte “diku nga fundi i verës”, në vitin 2026. Warren, për “Sky Sports News” deklaroi: “Ka pasur disa bisedime, por ende nuk është nënshkruar asgjë. Tyson ka lënë të kuptohet se nëse është marrëveshja e duhur për të, ai patjetër do të duelojë”.
“Mendoj se bisedimet po shkojnë në drejtimin e duhur dhe shpresojmë se do të marrim lajme shumë shpejt se çfarë do të ndodhë. Unë besoj se sfida mes dy boksierëve britanikë do të ndodhë”, u shpreh më tej promotori i njohur.
Një duel midis Joshuas dhe Fury, dy ish-kampionë bote dhe dy nga boksierët më të mirë të gjeneratës së tyre në peshat e rënda, është diskutuar për vite me radhë. Edhe “The Ring Magazine”, në pronësi të kreut të Riyadh Season, Turki Alalshikh, raportoi javën e kaluar se përballja ishte planifikuar për vitin e ardhshëm.
“AJ do të duelojë këtë javë kundër Jake Paul dhe ka diskutime për të që të përballet përsëri në fillim të vitit 2026. Tyson ka qenë jashtë për një kohë të gjatë. Ai mund të ketë një duel “stërvitor” më herët. Gjithsesi, sfida Joshua-Fury do të jetë diku në fund të verës së ardhshme”, shtoi Frank Warren.
“Pra, janë edhe shtatë muaj larg, kështu që ai me siguri do të ketë një ndeshje midis mendoj nëse Fury vendos të rikthehet. Tyson ka qenë në palestër me kohë të plotë duke u stërvitur shumë fort. Ai është në formë të shkëlqyer, duket mirë dhe vetë ka thënë shumë herë se do të donte të kthehej dhe të luftonte përsëri”, shtoi promotori.
“Besoj se viti 2026, me kusht që marrëveshja të jetë e drejtë, mendoj se do ta shihni përsëri në ring. Tifozët e kanë kërkuar këtë dhe të gjithë kanë folur për të, për vite me radhë. Me këdo që flas për boksin, kjo është e vetmja gjë që ata gjithmonë përmendin: ‘Kur do të duelojnë ata të dy? Do të ndodhë do të jetë sfidë madhështore”, tha Warren.