Përfundon punimet Asambleja e Dytë e SEPCA-s, nën presidencën e Policisë së Shtetit shqiptar
Gjatë Asamblesë së Dytë, mbajtur në Vlorë, me prezencën e drejtorëve të policive të Europës Juglindore, u diskutuan çështje të rëndësishme si: gjendja aktuale, drejtimet e së ardhmes dhe roli i SEPCA-s në lidhje me situatën e migracionit të parregullt; lufta kundër krimit të organizuar dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal; lufta kundër trafikimit të drogave të forta;
synimi i SEPCA-s që të shërbejë si një sistem paralajmërimi i hershëm për flukse të mundshme të larta të migracionit të parregullt;
përfitimet nga informacioni i ndërsjellë dhe analizat e përbashkëta. Krerët e policive të Europës Juglindore u dakordësuan mbi rolin dhe rëndësinë e konsoliduar që tashmë SEPCA ka kundër krimit të organizuar me shtrirje ndërkombëtare. Ata shprehën angazhimin e tyre maksimal për të kontribuar që ky rol të rritet dhe SEPCA të arrijë rezultate edhe më impaktuese në betejat kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe emigrimit të kundërligjshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre gjatë këtij viti të presidencës së Policisë së Shtetit shqiptar.
Ai theksoi se angazhimi i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, në funksion të misionit të SEPCA-s, nuk mbyllet me mbarimin e detyrës honorifike; përkundrazi, do të përforcohet, për të garantuar një partneritet të barabartë dhe profesional.
Ndërkaq, Drejtori i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i cili ishte i pranishëm për të dytën herë, me rolin e vëzhguesit, garantoi se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet operacionale dhe organizative për të qenë tashmë pjesë integrale dhe e barabartë e SEPCA-s.
Gjithashtu, Drejtori Proda, gjatë momentit ceremonial të dorëzimit të presidencës së SEPCA-s Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, theksoi nevojën reale që SEPCA ka për të pranuar Policinë e Kosovës si anëtare të saj me të drejta të plota.
Më tej, Drejtori u shpreh se vetëm duke funksionuar si një organizëm i vetëm, pa barriera dhe pa ndasi, mund të fitohen betejat kundër krimit rajonal dhe, më gjerë, kundër atij ndërkombëtar.