“Botërori 2026”, FIFA “hap thesin”/ Do të shpërndajë 10 milion euro për çdo skuadër të kualifikuar
Sondazh
Loading …
schedule12:32 – 17 Dhjetor, 2025
Pjesëmarrja në finalet e një Botërori sjell prestigj, lavdi, por edhe shumë para. Sidomos kur bëhet fjalë për turneun e ardhshëm që nis nga 11 qershori dhe zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Ky turne do të jetë më i madhi në histori me 48 skuadra finaliste, por edhe më i pasuri, për arkat e FIFA dhe skuadrave pjesëmarrëse.
Qeveria botërore e futbollit ka vendosur të shpërndajë një pjesë të mirë të të ardhurave.
Në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Doha të Katarit, përpara ceremonisë së ndarjes së çmimeve “The Best”, Këshilli i FIFA miratoi shpërblimet për skuadrat pjesëmarrëse.
Secila prej 48 skuadrave do të arkëtojë si fillim 10 milion euro, shifra kjo më e lartë e dhënë ndonjëherë.
Po ashtu, pas kalimit të çdo faze, kjo shifër do të rritet në mënyrë konstante, për të shkuar në 50 milion euro për skuadrën që do të fitojë Kupën e Botës, në finalen që do të zhvillohet në “Metlife” të New Yersey më 19 korrik.
Deri tani, “Botërori 2026” ka njohur 42 kombëtaret finaliste, ndërsa gjashtë biletat e fundit do të jepen në mars pas sfidave të play off, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria me Kosovën.
Të dyja kombëtaret e shqiptarëve kërkojnë të shkruajnë historinë me kualifikimin për herë të parë në finalet e një Kupe Bote, që përveç atij sportiv do të ishte edhe një triumf financiar./abcnews.al
Të ngjashme