Donald Trump kufizon hyrjen në SHBA për tifozë nga disa vende, 2 prej tyre janë kualifikuar në Botëror
17 Dhjetor 2025
13:43
Alfred Lleshi
Qeveria amerikane vijon vendosjen e kufizimeve ndaj tifozëve të disa vendeve në prag të Kupës së Botës 2026. Donald Trump ka firmosur një dokument që kufizon hyrjen në SHBA për shtetasit e disa vendeve afrikane dhe të Lindjes së Mesme. Listës ekzistuese, ku përfshiheshin Irani dhe Haiti, i shtohen Burkina Faso, Mali, Nigeri, Sudani i Jugut, Siria dhe mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga autoriteti palestinez.
Për 15 vende të tjera, mes tyre dy të kualifikuara në Botërorin 2026, Senegali dhe Bregu i Fildishtë, kufizimet do të jenë të pjesshme. Masat nuk prekin sportistët dhe diplomatët, por tifozët me pasaporta senegaleze ose të Bregut të Fildishtë do të përballen me procedura të ndërlikuara për të ndjekur ndeshjet. Arsyeja zyrtare lidhet me “visa overstay rate”; 4% për Senegalin dhe 8% për Bregun e Fildishtë.
Kupa e Botës 2026, e bashkëorganizuar nga SHBA, Meksika dhe Kanadaja, nis më 11 qershor. Bregu i Fildishtë është në Grupin E me Gjermaninë, Curaçaon dhe Ekuadorin, ndërsa Senegali do të përballet me Francën, Norvegjinë dhe një ekip nga “play off”-et. Para turneut, Senegali luan edhe kundër SHBA-së më 31 maj në Charlotte.