Wizz Air nis fluturimet direkte mes Tiranës dhe Këlnit
Tiranë, 16 Dhjetor 2025 — Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shënoi sot fluturimin inaugurues të linjës së re direkte të Wizz Air që lidh Tiranën me Këlnin, duke forcuar më tej lidhjen ajrore mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe duke zgjeruar rrjetin në rritje të destinacioneve europiane të TIA-s.
Fluturimi inaugurues u shoqërua me një ceremoni simbolike në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, në prani të skuadrës drejtuese të TIA-s, përfaqësuesve të bazës së Wizz Air, ekuipazhit të fluturimit, Ambasadorëve të TIA-s dhe përfaqësuesve të mediave.
Linja Tiranë – Këln do të operojë tre herë në javë, çdo të martë, të enjte dhe të shtunë, duke u ofruar pasagjerëve më shumë fleksibilitet dhe akses të përmirësuar drejt një prej zonave më të rëndësishme metropolitane të Gjermanisë.
Hapja e kësaj linje reflekton bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm mes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Wizz Air, si dhe kërkesën në rritje për udhëtime mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si për arsye turistike ashtu edhe për udhëtime biznesi.
Në përfundim të aktivitetit, Manjola Kaso, Drejtore për Zhvillimin e Aviacionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, theksoi rëndësinë e këtij destinacioni të ri:
“Nisja e fluturimeve drejt Këln me Wizz Air nga TIA përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ajrore të Shqipërisë me tregje kyçe europiane. Gjermania mbetet një destinacion strategjik për pasagjerët tanë dhe kjo linjë e re ofron më shumë akses, komoditet dhe alternativa udhëtimi. Jemi të kënaqur të vijojmë zgjerimin e bashkëpunimit me Wizz Air dhe të mbështesim rritjen e qëndrueshme të trafikut ajror përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.”
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet i përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të eksperiencës së pasagjerëve dhe në zgjerimin e rrjetit të destinacioneve përmes partneriteteve të forta me kompanitë ajrore, duke pozicionuar gjithnjë e më shumë Tiranën si një nyje të rëndësishme ajrore në rajon.
© BalkanWeb