Mbretëria e Bashkuar rikthehet në programin Erasmus
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar rikthimin e saj në programin Erasmus, duke bërë një hap të rëndësishëm, pas largimit nga Bashkimi Evropian. Lajmi u bë publik pas takimit në Bruksel midis ministrit britanik për marrëdhëniet me BE-në, Nick Thomas-Symonds, dhe homologut europian, Maros Sefcovic, ku u finalizuan negociatat për rikthimin në program.
Programi “Erasmus+” do të rifillojë nga janari i vitit 2027, duke u mundësuar studentëve britanikë dhe atyre europianë të studiojnë dhe të bëjnë praktika në të dy anët. Studentët britanikë do të paguajnë të njëjtat tarifa universitare si në vendin e tyre gjatë qëndrimit në Evropë, ndërsa studentët europianë që studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar do të paguajnë maksimumi 9.535 paund në vit, shumë më e ulët se tarifat aktuale prej 30–40 mijë paund për studentët jo-britanikë.
Mbretëria e Bashkuar kishte lënë programin Erasmus pas Brexit-it, kur kryeministri Boris Johnson argumentoi se kostoja e programit nuk ishte e favorshme për britanikët, ndërsa qeveria laburiste e kryeministrit Keir Starmer filloi menjëherë negociatat për rikthimin pas fitores së zgjedhjeve. Programi Erasmus, i krijuar në 1987, është zgjeruar në dekadën e fundit duke përfshirë praktika dhe trajnime profesionale dhe konsiderohet një instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe “soft power” europian.
Rikthimi i Mbretërisë së Bashkuar në këtë program, me një vlerë totale prej 23 miliardë paund, ishte një kërkesë kyçe e kryeqyteteve europiane në kuadër të përpjekjeve për “reset” të marrëdhënieve midis MB-së dhe BE-së. Një skemë mobiliteti që do të lejojë të rinjtë të jetojnë dhe punojnë në MB dhe britanikët të bëjnë të njëjtën gjë në Evropë, duke rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin kulturor. Londra shpreson që këto marrëveshje të lehtësojnë pjesëmarrjen e saj në fondet europiane të mbrojtjes “Safe”, të cilat për momentin janë të pamundura për britanikët. Përveç Erasmus-it, dy palët planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshje për kontrollet ushqimore, veterinare dhe fitosanitare, të cilat pritet të sjellin përfitime miliardëshe për ekonominë britanike, raporton la Repubblica.
Në vitin 2020, Mbretëria e Bashkuar dërgoi 9.900 studentë dhe praktikantë jashtë vendit dhe pritën 16.100 studentë europianë në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në program. Programi “Turing”, i lançuar nga Johnson për të zëvendësuar Erasmus, nuk arriti pritshmëritë dhe u kritikua për kufizimin e mundësive për studentët. Kryeministri Keir Starmer ka theksuar rëndësinë e ri-afrimit me Evropën dhe është shprehur se bashkëpunimi i ri do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për të rinjtë dhe shkencën britanike.
Lideri i Demokratëve Liberal, Ed Davey, ka deklaruar se hapi tjetër mund të jetë kthimi në Bashkimin Doganor Evropian, duke sugjeruar një prirje të qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar drejt bashkëpunimit më të ngushtë me BE-në. Ky rikthim i MB-së në Erasmus shihet si një simbol i normalizimit të marrëdhënieve post-Brexit dhe si një sinjal pozitiv për studentët dhe komunitetin akademik të të dyja palëve.