Deputeti më i votuar i listës së hapur në Elbasan, Qani Xhafa i përgjigjet Berishës: Askush nga demokratët nuk u detyrua të merrte pjesë në takimin e Salianjit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Qani Xhafa, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen e tij në takimin e Foltores së Ervin Salianjit, i zhvilluar ditën e djeshme në Elbasan, në sallën e Teatrit “Skampa”.
Xhafa ka hedhur poshtë pretendimet e kryedemokratit Sali Berisha, i cili deklaroi se takimi i Salianjit ishte sponsorizuar nga krimi dhe se pjesëmarrësit ishin detyruar të merrnin pjesë nga eksponentë të botës kriminale, përfshirë Suel Çelën.
Ai i cilëson këto akuza si të pavërteta, duke mohuar kategorikisht se ai apo anëtarët e Partisë Demokratike të Degës Elbasan kanë qenë nën kërcënime për të marrë pjesë në takim
Përkundrazi, Xhafa theksoi se shumë demokratë janë shprehur të pakënaqur që nuk janë njoftuar për zhvillimin e aktivitetit, duke shtuar se i kanë kërkuar llogari pse nuk ishin ftuar.
Reagimi
Sqarim për opinionin publik në lidhje me takimin e z.Ervin Salianji në Elbasan datë 16 Dhjetor ora 18 00!
Të nderuar demokratë, anëtarë, simpatizantë të PD dhe mbarë opinionit publik, ju bëj me dije se dje pjesë e takimit me demokratët e Qarkut të Elbasanit isha dhe unë si një demokrat që nga viti 2005 ku kemi ndarë me ta të mirat dhe të këqijat e kësaj force politike!
Unë nuk jam detyruar nga askush që të marr pjesë në këtë takim por e pashë të arsyeshme se PD prej disa muajsh pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025 ra në një gjumë letargjik që po e dëmtonte akoma më shumë!
Po kështu më gjeni një person anëtar partie, simpatizant apo çfardo, që ishte apo jo në takim, të prononcohet që ka qenë i detyruar nga dikush të marr pjesë, madje të brohorasë!
Ju bëj me dije se më janë zemëruar shumë demokratë që pse sna njoftove por koha ishte shumë e shkurtër vetëm dy ditë dhe e lamë në rrjedhë të lirë pjesmarrjen dhe për mendimin tim ishte takim shumë i mirë pasi kishte dhe shumë demokratë të rinj në forume drejtuese që janë e ardhmja e PD!
Për vetë profesionin që kam si Ing. mekanik i them Dr.Berishës nëse më bind me fakte që ai takim është bërë nga Suel Çela jam unë i pari që tërhiqem nëse është e kundërta duhet që të rinjtë të ecin përpara për të mundur regjimin e Edi Ramës!
Në atë takim u fol ndër të tjera edhe për protestën e 22 Dhjetorit që të jetë sa më e fuqishme për rrëzimin e kësaj qeverie!
Ju lutem të dëgjojmë zërin e çdokujt për të mirën e PDSH dhe për të mirën e Shqipërisë!
Me shumë respekt dhe mirënjohje Qani Xhafa!
© BalkanWeb