Kush e kaloi vijën e kuqe në PD? Çupi: Sali Berisha ka frikë se po ia marrin partinë nga duart, Salianji ka mbledhur më shumë njerëz
TIRANË- Analisti Frrok Çupi, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, komentoi përplasjet e hapura mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit, të cilët akuzojnë njëri tjetrin për lidhje me emra të botës së krimit.
Sipas Çupit, në PD po përsëritet i njëjti skenar që ka ndodhur edhe më parë, por me intensitet dhe forma të tjera. Ai theksoi se mënyra se si po zhvillohen këto përplasje është e shëmtuar
Çupi u shpreh se Ervin Salianji ka arritur të mbledhë më shumë mbështetës se Sali Berisha në disa qytete, duke përfshirë Elbasanin, Durrësin dhe Gjirokastrën, çka sipas tij tregon se Berisha ndodhet tashmë në minorancë brenda Partisë Demokratike.
Sipas Çupit, Salianji ka marrë iniciativën për të zgjuar disa parime dhe norma që, sipas tij, sot mungojnë në PD, e cila nuk funksionon më si një institucion politik. Ai shtoi se vijat e kuqe në parti po vendosen në mënyrë selektive, për të mbuluar problemet e brendshme, duke theksuar se problemi real i bashkëpunimit me krimin lidhet me vetë Berishën, ndërsa Salianji i ka kujtuar atij rastin e deputetit Arjan Ndoja.
“Po i ndjek dhe unë këto zhvillime. Në PD po ndodh ajo çfarë ka ndodhur gjithmonë, po riciklohet e njëjta gjë, me intensitet tjetër dhe brohoritje të tjera. Po ndodh vetëm lajmi, i cili ka plot vend për lajm, sepse mënyra është e shëmtuar. Shëmtia dhe marrëzia ngjallin kureshtje të madhe. Salianji, një militant i asaj partie dhe një personalitet i saj, ka mbledhur më shumë njerëz se Berisha, kjo është drama.
Berisha ndodhet në minorancë në Partinë Demokratike. Në Elbasan mblodhi më shumë se Berisha, në Durrës gjithashtu, në Gjirokastër po ashtu. Ka frikë se po i marrin partinë nga duart. Po noton në ujëra të turbullta dhe dje nxori të bijën si “nëndetëse”. Ai nuk i vlen më PD-së dhe proceseve të tjera. Salianji mori iniciativë për të zgjuar disa parime, norma, e cila tashmë mund të themi se nuk është një institucion politik.
Ai i vë vijat e kuqe aty ku zbulohet gjëja e tij e keqe dhe e demaskon para anëtarëve të Partisë Demokratike. Ai e vendos vijën e kuqe sipas vesit të tij dhe vesi i tij është krimi. Problemi realisht në bashkëpunimin me krimin e ka vetë Berisha dhe Salianji ia kujtoi deputetin Arjan Ndoja.”, tha ai.
Ai theksoi më tej se “aspiratat e demokratëve nuk mund t’i përfaqësojë më Sali Berisha. Ai do ta donte partinë e madhe, por për sa kohe që nuk e ka dot, ai flet me veten dhe thotë: edhe dy veta të kem këtu, i pari do jem unë. PD do të “vdesë” duke i shërbyer Sali Berishës. Ai trembet dhe tmerrohet se brenda asaj partie ka njerëz që duan të zhvillohen, pavarësisht tij”, u shpreh Çupi./abcnews.al