Drejtoresha e Informacionit në News24, Anila Jole, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur mbi sulmin e rëndë që televizioni pësoi në muajin gusht të këtij viti, duke e cilësuar atë një goditje të mirëorganizuar, e cila synonte të dëmtonte aktivitetin e medias dhe botuesit të saj.
Jole deklaroi se sulmi ndaj News24 nuk ishte një akt i izoluar, por i shoqëruar me një seri goditjesh të drejtuara ndaj botuesit të News24. Sipas saj, këto goditje kanë marrë formën e presioneve ndaj bizneseve të tij, përfshirë gjoba dhe penalizime të vazhdueshme.
“Sulmi ndaj News24 është shoqëruar me sulme të tjera ndaj botuesit. Ka pasur sulme mbi bizneset e tij, gjoba etj, pra goditje të vazhdueshme ndaj tij për ta dobësuar ekonomikisht,” u shpreh Jole.
Ajo theksoi se këto presione u intensifikuan në një moment kur dosjet që lidhen me ministren Belinda Balluku po “fryheshin me fakte”, duke krijuar dyshime se qëllimi ishte mbyllja e zërit kritik të medias në një periudhë të ndjeshme.
“Kjo goditje ndodhi kur dosjet për Ballukun filluan të fryheshin shumë me fakte, me qëllim që kur të vinte kjo kohë, që mesa duket kishte informacion, News24 të ishte i mbyllur”, tha ajo.
Megjithatë, Jole theksoi se pavarësisht trysnive dhe përpjekjeve për të goditur median ekonomikisht, News24 vazhdon të qëndrojë i pavarur dhe i angazhuar në misionin e tij për të denoncuar abuzimet dhe për të zbardhur të vërtetat me interes publik. “Por News24 është këtu dhe vijon të denoncojë e zbardhë fakte,” deklaroi ajo.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb