Takimi Trump-Netanyahu së shpejti në Florida për hapat e mëtejshëm në Gaza
Hapat e ardhshëm në Rripin e Gazës pritet të diskutohen më vonë gjatë ditës në një takim të zyrtarëve amerikanë, katarë, egjiptianë dhe turq në Florida (jug), ku Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në ditët në vijim.
Uashingtoni do të përfaqësohet në bisedimet e sotme nga i dërguari special i presidentit amerikan Steve Witkoff, tha dje për AFP një burim në administratën Trump.
“Nuk e kemi planifikuar zyrtarisht ende, por Z. Netanyahu dëshiron të më takojë”, tha dje presidenti republikan i SHBA-së, duke shtuar, “Ai ndoshta do të vijë të më takojë në Florida”.
Donald Trump planifikon të kalojë festat e fundvitit atje, në rezidencën dhe klubin e tij Mar-a-Lago.
Katari dhe Egjipti, ndërmjetës dhe garantues të armëpushimit në enklavën palestineze ku lufta ka shpërthyer për dy vjet, kohët e fundit bënë thirrje për zbatimin e planit të propozuar nga presidenti i SHBA-së për të kaluar në fazën tjetër.
Faza tjetër parashikonte çarmatimin e Hamasit – një mundësi që lëvizja islamiste palestineze e hedh poshtë -, tërheqjen progresive të ushtrisë izraelite nga e gjithë enklava, krijimin e autoriteteve kalimtare dhe vendosjen e një force ndërkombëtare “stabilizimi”.
Armëpushimi në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, mbetet shumë i brishtë, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje flagrante të kushteve të tij, ndërsa situata humanitare në enklavë vazhdon të jetë kritike.
Megjithatë, presidenti amerikan u mburr pardje, të mërkurën, në një deklaratë, se kishte rivendosur paqen në Lindjen e Mesme “për herë të parë në tre mijë vjet”.
Turqia do të përfaqësohet në bisedime nga Ministri i Jashtëm Hakan Fidan.
Në një fjalim, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan siguroi se vendi i tij mbetet “vendosmërisht në anën e palestinezëve”.
© BalkanWeb