BE miraton një kredi prej 90 miliardë euro për Ukrainën, por pa përdorur asetet ruse
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, pasi nuk arritën të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.
Marrëveshja, e cila sipas udhëheqësve do të përmbushte nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, erdhi pas më shumë se një dite bisedimesh në një samit në Bruksel.
“Ne u zotuam, ne e përmbushëm premtimin”, shkroi shefi i BE-së, Antonio Costa, në X, ndërsa njoftoi marrëveshjen për të siguruar një kredi të mbështetur nga buxheti i përbashkët i bllokut.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kishte kërkuar udhëheqësve të përdornin 200 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse, por Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e parave të gatshme, kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë, gjë që rezultoi shumë e vështirë për vendet e tjera.
Në një zhvillim tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se besonte se do të ishte “e dobishme” për Evropën të riangazhohej me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Unë besoj se është në interesin tonë si evropianë dhe ukrainasë të gjejmë kornizën e duhur për të rinisur këtë diskutim”, tha ai, duke shtuar se evropianët duhet të gjejnë mjetet për ta bërë këtë “në javët e ardhshme”.
© BalkanWeb