Harry Kane vlerëson talentin e Bayern: Është thelbësor për ne, na ka mundësuar të fitojmë disa ndeshje
19 Dhjetor 2025
8:50
Telesport
I intervistuar nga kanalet zyrtare të Bundesliga, Harry Kane vlerësoi talentin e ri Lenny Karl, i cili është bërë një aset i vlefshëm për ekuilibrin taktik të Bayern Munich. Sulmuesi anglez theksoi se si ndikimi i 17-vjeçarit ka qenë vendimtar për ekipin: “Lenny ka qenë fantastik deri më tani. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, veçanërisht në hapësira të ngushta dhe kontributi i tij është thelbësor për ne.”
Sipas kapitenit të Anglisë, prania e talentit të ri mund të zhbllokojë ndeshje të tensionuara. “Shpesh e gjejmë veten përballë mbrojtjeve ose sistemeve shumë të thella si 5-4-1, ku ekipet mbyllen, duke e bërë të vështirë gjetjen e hapësirave. Lenny, falë shpejtësisë dhe aftësisë së tij për të mposhtur lojtarin e tij, është në gjendje t’i hapë ato hapësira”, tha Kane.
“Në këtë drejtim, ai të kujton shumë Jamal Musiala: aftësia e tij për të krijuar epërsi numerike i lejon atij dhe shokëve të tij të ekipit të arrijnë në gjuajtje më lehtë“, u shpreh sulmuesi anglez, që më pas theksoi pjekurinë e djaloshit edhe kur nuk e kishte topin në zotërim.
“Ai punon shumë për ekipin. Me metodën tonë të stërvitjes dhe një trajner kaq kërkues, nuk mund të ishte ndryshe. Ai është një djalë i qetë, siç është e natyrshme për një 17-vjeçar në një mjedis të tillë, por ai po mëson çdo ditë dhe po shijon përvojën e tij në grup. Prania e tij ka bërë vërtet diferencën në shumë ndeshje këtë vit“, deklaroi Kane.