Ambasadori italian në Tiranë, flet për “Real Story”: Mbledhja e përbashkët shënoi një atmosferë të shkëlqyer bashkëpunimi
TIRANË- Ambasadori italian në Tiranë, Marco Alberti, “Real Story” në ABC News u shpreh se mbledhja e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe asaj italiane u karakterizua nga një atmosferë bashkëpunuese dhe atribut i kësaj klime shtoi ai i përket të dy kryeministrave, të cilët kanë dhe një marrëdhënie të ngushtë mes tyre.
Ai theksoi se tani puna duhet të përqendrohet për të çuar përpara marrëveshjet e firmosura. Sipas tij, rruga për konkretizimin e tyre tashmë është hapur.
“Sigurisht, unë mendoj që atmosfera ndikon mjaft në arritjen e rezultateve dhe ky takim i nivelit të lartë, duhet të mbizotërohej nga një atmosferë bashkëpunuese, dhe besoj se kjo ka ndodhur sepse ne kemi një marrëdhënie të ngushtë mes dy kryeministrave tanë, sigurisht që ka patur edhe një sintoni, jo vetëm mes dy kryeministrave por edhe mes ministrave të qeverive tona. Dhe kjo sintoni besoj rrjedh nga fakti se ekziston dëshira dhe vullneti që gjithçka të transformohet në diçka konkrete dhe pjesë e këtyre rezultateve janë përftuar dhe janë arritur, por sigurisht kemi ende aspekte që duhet të përmirësohen dhe puna jonë do të ndalet pikërisht në faktin që duhet të çojmë përpara marrëveshjet propozimet duke i përmirësuar ato. Unë mendoj se rruga është hapur tashmë dhe jam i bindur se do të japë edhe rezultate pozitive. Bukuria e ‘Villa Dora Pantilla’ sigurisht që ka ndihmuar edhe në këtë”, tha ai.
Ai theksoi se është bukur të shikosh kur të dyja shtetet zgjedhin të bashkëpunojnë në sektorë strategjikë. Sipas tij, synimi i takimit të nivelit të lartë është bërë edhe për faktin që Italia duhet të jetë e pranishme edhe në sektorë të tjerë, në Shqipëri.
“Para së gjithash ajo çka është e bukur është që bashkëpunimi edhe në sektorë strategjikë, ku Italia nuk ka qenë shumë e pranishme, dhe unë mendoj se kemi një përhapje një prani të gjerë të Italisë në Shqipëri dhe këtë e ndjej e perceptoj. Synimi i këtij takimi të lartë, ka qenë edhe fakti që Italia të jetë e pranishme edhe në sektorë të tjerë, së pari në atë të mbrojtjes dhe procesi i integrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë, në BE procesi I zgjerimit apo ribashkimit, sikundër thuhet, është një proces që në qendër të të cilit është dialogu jo vetëm i një tregu të përbashkët, por edhe mbrojtja, siguria, qëndrueshmëria e një zone sikurse është ajo e Ballkanit Perëndimor.
Pra, siguria dhe qëndrueshmëria, stabiliteti janë vlera që ne duhet t’i theksojmë dhe t’i japim rëndësinë e duhur. Besoj se një joint venture mes KAYO dhe FinCantieri do të shërbejë për të modernizuar kantierin e Pashalimanit dhe për të shpënë në këtë kantier edhe njohuritë e reja por edhe për të krijuar vende të reja pune. Pastaj ka edhe marrëveshje të tjera sikundër, është ajo e emergjencave civile sepse në Itali, ashtu sikurse në Shqipëri, ministria përgjegjëse, është ajo e Mbrojtjes. Pra, do të kemi mundësinë për të krijuar diçka që nuk është apo për të përmirësuar një strukturë që ekziston. Është e rëndësishme që gjithashtu të thellojmë bashkëpunimin edhe në sektorë kyç sikurse është ai i mbrojtjes dhe të dy kryeministrat kanë dhënë këtë mundësi që të eksplorojmë më tej këto fusha të paeksploruara deri më tani.”, theksoi ambasadori italian./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

