Siguria përmes kamerave inteligjente/ Rama: ‘Syri magjik’ që ndjek dhe identifikon shkelësin në kohë reale
schedule12:28 – 19 Dhjetor, 2025
Nis zbatimi i projektit për instalimin e një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente, i cili do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike.
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin “Smart City Albania”, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe modernizimit të punës së Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se projekti nuk është thjesht një sistem kamerash apo mbikëqyrjeje, por një mekanizëm inteligjent që rrit ndjeshëm kapacitetet operacionale të policisë, duke mundësuar identifikimin dhe reagimin në kohë reale ndaj shkeljeve të ligjit.
“Ky nuk është një projekt një projekt kamerash, as një projekt me mbikëqyrje me kamera dhe e trupave të policisë përmes leximit të kamerave kur lind nevoja. Ky është një projekt që në sekondën që vjen në jetë rrit në mënyrë potenciale kapacitetin e policisë së shtetit.
I jep Policisë së Shtetit syrin magjik për të parë sigurinë e territorit. Është një projekt që ndihmon për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithandej, kur flitet për identifikimin në kohë reale shkelësin, nuk flitet për një identifikim që vjen si rezultat i punonjësit të policisë që ndjek ekranin, por një identifikim nga sy magjik që e ndjek, e identifikon, e regjistron dhe e sjell para syve të publikut.
“Syri” i gjithë këtij sistemi është një sy që shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe mbledh në të njëjtën kohë gjithë informacionin e nevojshëm për të identifikuar problemin. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia më pas ndërhyn për të zbatuar ligjin. Nuk ka nevojë që dikush të filmojë një punonjës policie, që nuk përmbush standardet e komunikimi të një nxënësi në kohë reale, sepse në kohë reale kamera sjell debatin në sallë operative. Bëhet e pamundur që kamerat të fiken e të ndizen sipas dëshirës. Një kamerë e fikun sinjalizohet direkte në qendër”, tha kryeministri Rama./abcnews.al