Festat e fundvitit, fluks në port/ Durrës, punohet më 24 sportele, shtohen lundrimet e dyfishta
schedule14:26 – 19 Dhjetor, 2025
Me afrimin e festave, në portin e Durrësit kanë nisur lundrimet e dyfishta të trageteve që lidhin dy brigjet e Adriatikut. Deri në prag të Krishtlindjes, tragetet do operojnë brenda ditës për të përballuar fluksin në hyrje të pasagjerëve dhe automjeteve në vend.
Festat e fundvitit përkojnë me periudhën kur mijëra emigrantë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës, rikthehen në atdhe për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre. Por nuk janë shqiptarët, të vetmit që zgjedhin vendin për të kaluar fundvitin.
Vlora po përjeton një tjetër realitet pozitiv, atë të rritjes së ndjeshme të interesit turistik për festat e fundvitit. Operatorët turistikë kanë prezantuar paketa të ndryshme festive, ndërsa rezervimet kanë nisur prej javësh.
Qyteti ka marrë pamje festive, ndërsa në bashkëpunim me pushtetin vendor është përgatitur edhe një program i posaçëm aktivitetesh, duke e bërë Vlorën tërheqëse edhe gjatë sezonit dimëror. Operatorët turistikë theksojnë se Vlora mbetet një nga destinacionet më të preferuara për festat e fundvitit, duke ofruar alternativa për familjet, të rinjtë dhe turistët e huaj.