Euro në pikiatë, BSH shton ndërhyrjet/ Planifikon të tërheqë 450 milionë euro në treg në 2026
schedule14:21 – 19 Dhjetor, 2025
Banka e Shqipërisë do të tërheqë më shumë valutë nga tregu vitin e ardhshëm. Sipas kalendarit të ndërhyrjeve në tregun valutor, në 2026 parashikohet të blihen nga tregu 330 deri ne 450 milionë euro, gati 100 milionë euro më shumë se krahasuar me vitin aktual.
Janë rreth 26 ankande të planifikuara për tu zhvilluar, ku ndërhyrjet më të mëdha parashikohen gjatë verës, kur rriten edhe prurje valutore në vend.
Ndërhyrjet në treg nga banka qendrore bëhen kryesisht për efekt të rezervës valutore, por edhe për të mbajtur të stabilizuar kursin e këmbimit valuator. Euro preku këtë javë një minimum të ri historik duke zbritur poshtë 96.5 lekëve.
Tradicionalisht, me afrimin e festave të fundvitit, prurjet valutore pritet të shtohen çka nuk përjashton mundësinë që monedha europiane të shënojë një tjetër rënie në tregun valuator.
Nënçmimi i euros këtë vit është lidhur edhe me prurjet valutore nga turizmi që në 9 muaj arritën në rreth 4.5 miliardë euro e po ashtu edhe nga flukset e investimeve të huaja direkte që për të njëjtën periudhë prekën nivelin e 1.2 miliardë euro. Edhe dërgesat e emigrantëve po ashtu panë një rritje të konsiderueshme përgjatë 9 mujorit.
Për herë të parë, bilanci i llogarisë korrente rezultoi pozitiv në vlerën e 51 milionë euro.
Euro nivelin më të lartë për këtë vit e shënoi në fund të muajit janar kur u këmbye me më shumë se 100 lekë dhe pres asaj periudhe ka shënuar vetëm tendencë rënëse ne raport me lekun.