Heroi i sulmit terrorist në Bondy Beach merr 2.5 milionë dollarë donacione
schedule14:07 – 19 Dhjetor, 2025
Ahmed al Ahmed, njeriu që u shpall hero në Australi pasi u përball i paarmatosur me autorët e sulmit terrorist në Bondi Beach, ka marrë mbi 2.5 milionë dollarë australianë donacione (rreth 1.65 milionë dollarë amerikanë). Shuma rekord u mblodh përmes një fushate online në GoFundMe, ku kontribuuan dhjetëra mijëra qytetarë australianë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, më 14 dhjetor, kur dy persona të frymëzuar nga ideologjia e ISIS-it hapën zjarr mbi turmën e mbledhur për të festuar Hanukkah në plazhin e famshëm të Sydneyt. Ahmed, baba i dy fëmijëve dhe me besim mysliman, ndërhyri pa hezitim. Ai u fsheh fillimisht pas disa makinave të parkuara dhe më pas sulmoi nga mbrapa njërin prej atentatorëve, duke i rrëmbyer armën dhe duke e rrëzuar në tokë. Gjatë përplasjes, ai u qëllua me armë zjarri, dyshohet nga autori i dytë.
Aktualisht Ahmed al Ahmed ndodhet ende i shtruar në Spitalin “St. George”, ku i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Në disa pamje të publikuar sot, më 19 dhjetor, influenceri Zachery Dereniowski, bashkëorganizator i fushatës së donacioneve shihet duke i dorëzuar atij një çek simbolik gjigant, direkt në shtratin e spitalit, raporton la Repubblica.
Sulmi në Bondi Beach tronditi mbarë Australinë, duke lënë pas 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Autoritetet australiane kanë identifikuar të dyshuarit si një burrë 50-vjeçar, i cili u vra në vendngjarje nga policia, dhe djalin e tij 24-vjeçar, i cili mbeti i plagosur rëndë.
Bondi Beach është një nga plazhet më të njohura dhe më të frekuentuara të Sydneyt, simbol i jetës turistike dhe kulturore të qytetit. Sulmi i 14 dhjetorit konsiderohet më vdekjeprurësi në Australi në dekada, duke ringjallur debatin publik mbi sigurinë, ekstremizmin dhe rolin e qytetarëve të zakonshëm në situata emergjente. Veprimi i Ahmed al Ahmed është vlerësuar si një akt guximi dhe solidariteti njerëzor, përtej dallimeve fetare apo kulturore.