Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në një intervistë për “Politico” se për Kosovën anëtarësimi në NATO është shumë më urgjent sesa integrimi në Bashkimin Europian, duke theksuar se siguria e rajonit varet nga prania e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

vjosa osmani

“E shoh NATO-n si më të domosdoshme se BE-në në këtë moment. Integrimi evropian kërkon kohë, por siguria është e menjëhershme — sidomos përballë Serbisë dhe ndikimit rus,” u shpreh Osmani nga Berlini.

Sipas saj, çdo zgjerim i territorit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor “do ta frenonte Rusinë”, e cila sipas saj synon destabilizimin e rajonit dhe të kontinentit evropian.

Presidentja theksoi se tashmë i ka përmbushur kriteret për anëtarësim në Aleancë, duke investuar mbi 2% të GDP-së në mbrojtje dhe duke paralajmëruar rritje të dyfishtë të buxhetit për fushën ushtarake gjatë katër viteve të ardhshme. Ajo nënvizoi se nëse Kosova do të ishte pjesë e NATO-s, “ nuk do të guxonte kurrë të ndërmerrte veprime agresive”.

Në lidhje me integrimin evropian, Osmani u shpreh e zhgënjyer që, pavarësisht harmonizimit të plotë të politikës së jashtme me BE-në dhe zbatimit të reformave, procesi mbetet i bllokuar.

“Qasja jonë pro-evropiane merret si e mirëqenë, nuk vlerësohet,” tha ajo, duke shtuar se pret që Gjermania të marrë një rol drejtues në procesin e zgjerimit dhe që anëtarësimi të mbështetet mbi parimin e meritave. “Nëse meritat do të ishin vendimtare, Kosova do të kryesonte”, theksoi Osmani.

Presidentja foli edhe për sigurinë në rajon, duke akuzuar Serbinë se po vepron si “zgjatim i Rusisë” dhe se presidenti Aleksandar Vuçiç po përpiqet ta kthejë Ballkanin në atmosferën e viteve ’90. Ajo kritikoi BE-në se për një kohë të gjatë ka ndjekur politika akomoduese ndaj Beogradit, të cilat “nuk kanë dhënë rezultat”.

Osmani theksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës euroatlantike, ndërsa siguroi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj reformave dhe partneritetit me aleatët perëndimorë.

© Panorama.al

Te lidhura