“PD është copëtuar, strukturat jofunksionale”, Balliu: Berishës i ka mbaruar epoka politike
schedule23:42 – 18 Nëntor, 2025
TIRANË– Ish-drejtuesja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Alesia Balliu, në një intervistë për emisionin “Ora e Fundit”, deklaroi se protesta e fundit e thirrur nga Sali Berisha ishte një dështim i plotë dhe se demokratët nuk janë më të gatshëm të mobilizohen për interesa personale të ish-kryeministrit.
Sipas Balliut, tubimi i organizuar ishte “protestë për një individ të vetëm”, me qëllim mbrojtjen e Berishës nga organet e drejtësisë.
Ajo theksoi se qytetarët dhe demokratët nuk i përgjigjen më thirrjeve që lidhen me hallet personale të një personi, por kërkojnë kauza reale dhe çështje që prekin interesin e tyre.
Ajo akuzoi ish-kryeministrin se po mban peng Partinë Demokratike dhe se situata aktuale brenda kësaj force politike është e rëndë. Balliu shtoi se Berisha ka zgjedhur të investojë jo te struktura dhe organizimi i partisë, por te Chris LaCivita duke lënë anash bazën e PD-së. Sipas saj, epoka politike e Sali Berishës ka marrë fund.
“Demokratët e braktisën Berishën. Ajo ishte një protestë e thirrur për një individ të vetëm, mbrojtjen e Sali Berishës nga organet e drejtësisë, protesta u bë për interesin personale të Berishë, ndaj ajo u braktis, ajo as protestë nuk quhet, sepse ishte dështim. Demokratët nuk shkojnë më për hallin personal të një peroni të vetëm, por ata do shkojnë për kauza reale dhe për kauza që i shqetësojnë ato. Sot opozita po mbahet peng nga Sali Berisha, PD po mbahet peng nga Berisha. PD është copëtuar, strukturat janë jofunksionale. Si mund të organizohet një protestë, kur strukturat janë përtokë. Berisha nuk investoi te strukturat, por investoi te “Latifi”[Chris Lacivita]. Berishës i ka mbaruar epoka e tij politike. Ai ka hyrë në dy beteja me Edi Ramën dhe të dyja i ka humbur”, theksoi Balliu./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!