Versttapen dorëzon numrin 1, sezoni i së vërtetës për të dhe Red Bullin
Rregullorja e efektit tokësor në Formula 1 (2022-2025) u mbyll me një dominues absolut, Maks Vershtapenin.
Ai fitoi tre nga katër titujt e mundshëm, duke mbetur vetëm dy pikë larg një sezoni perfekt, të cilin ia mohoi Lando Norris. Holandezi grumbulloi 66 podiume (më shumë se çdo pilot dhe më shumë se çdo ekip) dhe vulosi epokën e tij me 51 fitore, përkundrejt 11 të Norrisit, 9 të Oskar Piastrit dhe 6 të Sharles Lëklerk. Me këto shifra, askush nuk i afrohet Vershtapenit në makina të vështira dhe pak argëtuese për pilotët, të cilat mbyllën një epokë në Abu Dhabi.
Një epokë që mbaroi edhe për vetë Maksin, tashmë në një fazë ndryshimi të plotë. Vershtapen ka dorëzuar tashmë numrin “1”, të cilin e fitoi në xhiron e fundit të Abu Dabi 2021 kundër Luis Hamiltonit. Ai ka njoftuar se nga tani e tutje do të garojë me numrin “3”, duke trashëguar simbolin e Daniel Riçardos, mikut dhe ish-shokut të skuadrës, i cili e mbante këtë numër që prej momentit kur F1 vendosi numra fiks për pilotët. “Numri 3 ka qenë gjithmonë i preferuari im, përveç numrit 1. Tani duhet ta ndryshoj dhe do të jetë ai”, deklaroi Maks. Ndryshimi i numrit simbolizon diçka shumë më të thellë. Vershtapen po jeton gjithashtu transformimin e madh të Red Bullit, që tashmë ka humbur të gjitha figurat e saj themeluese pas largimit të Helmut Markos, bastionit të fundit historik të ekipit. Holandezi dhe rrethi i tij, me babanë Jos Vershtapen në krye, do të jenë më shumë se kurrë në qendër të vëmendjes.
PROBLEME NË HORIZONT? – Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshime numrash apo emrash. Red Bull po i afrohet vitit 2026 me sfida serioze, duke zhvilluar makinën rreth njësisë së re të fuqisë (me Ford si partner). Dyshimet lidhen me faktin se njëvendëshja e ardhshme mund të jetë sakrifikuar pjesërisht për shkak të shtytjes së fortë në fund të sezonit 2025. Zhvillimet teknike vazhduan deri në fund (dysheme, krahë aerodinamikë…), ndërsa puna për projektin e 2026-ës nuk ishte aq e thellë sa te disa ekipe të tjera që u fokusuan herët te rregullat e reja, si Uilliams apo Aston Martin. Megjithatë, skuderia beson se mund të jetë në nivelin e më të mirëve, por rreziku ekziston nëse makina nuk është mjaftueshëm e zhvilluar në kohë.
VERSHTAPEN DHE E ARDHMJA – Mungesa e konkurrencës mund të krijojë dyshime te një Maks Vershtapen që përjetoi një verë të trazuar, duke e lidhur të ardhmen e tij me Mercedesin. Nëse Red Bulli dështon, holandezi mund të tronditë sërish “paddock”-un dhe dyert e “Shigjetave të Argjendta” mund të jenë ende të hapura, pasi as Xhorxh Rasëll dhe as Andrea Kimi Antoneli nuk kanë kontrata afatgjata. Ndryshimi ka nisur dhe ky mund të jetë vetëm fillimi.
© BalkanWeb