Nga depresioni te tentativa për vetëvrasje, Guarin rrëfen tmerrin: Tani po e fitoj betejën…
Ish-mesfushori i Interit, Fredy Guarin, ka folur për betejat e tij me alkoolin në një intervistë të fundit, teksa ka zbuluar se ka tentuar edhe vetëvrasjen.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Guarin nuk hezitoi të theksojë se lufta depresionin ka qenë mjaft e egër.
“Fillova të pija gjatë muajve të fundit tek Inter. Ndihesha keq për situatën time familjare.
Po ndahesha nga gruaja ime, isha larg fëmijëve të mi. Kur u transferova në Kinë, situata ime u përkeqësua. Kur shkova në Brazil, shpërtheu Covid. Në atë moment, gjëja që më shpëtonte ende u zhduk: futbolli. Mbeta pa asgjë, vetëm me veten time.”
Pastaj thirrja për ndihmë: “Një ditë isha vetëm në shtëpi dhe kisha pirë. Telefonova njerëz, por askush nuk u përgjigj. Po mendoja t’i jepja fund gjithçkaje. Isha i lodhur nga gjithçka. Telefonova psikologun tim dhe agjentin tim.”
Në atë pikë, ai filloi rehabilitimin në një fondacion që e ndihmoi të linte alkoolin. Ai i pa përsëri fëmijët e tij: “Nuk më falën menjëherë, por me kalimin e kohës më kuptuan. Tani punoj në fondacion me psikologen time; dua ta ndaj përvojën time me të tjerët.”
© BalkanWeb