Reshje të dendura shiu në Vlorë/ Lumi Bistricë del nga shtrati, rrëshqitje gurësh në Brataj
schedule08:57 – 19 Nëntor, 2025
Situata e reshjeve në Qarkun Vlorë: probleme të izoluara, strukturat në terren
Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar disa vështirësi të përqendruara në disa zona të Qarkut Vlorë, ndërsa strukturat vendore dhe emergjencat civile janë në gatishmëri dhe po punojnë për normalizimin e situatës.
- Nivicë, Bashkia Himarë
Në fshatin Nivicë është përmbytur banesa e shtetasit S.DH . Shërbimet vendore janë njoftuar dhe po monitorojnë situatën nga afër.
- Vishe, Bashkia Himarë
Në këtë fshat, njëra anë e rrugës është bllokuar nga inertet e rrëshqitura. Ekipet e Bashkisë Himarë ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e plotë të aksit.
- Brataj, Bashkia Selenicë
Rrëshqitje dherash dhe inertesh kanë bllokuar njërën anë të rrugës. Shërbimet e Bashkisë Selenicë po kryejnë pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.
- Aksi rrugor Virion–Muzinë, pranë fshatit Mesopotam
Lumi Bistricë ka dalë nga shtrati dhe niveli i ujit ka arritur rreth 50 cm, duke e bërë rrugën të pakalueshme. Shërbimet e emergjencave në Prefekturë, bashkitë dhe Policia Rrugore janë vënë menjëherë në dijeni dhe po ndjekin situatën.
Sipas të dhënave zyrtare, problematika të tjera nuk janë raportuar deri në këto momente. Strukturat në të gjithë qarkun vijojnë monitorimin e situatës gjatë gjithë ditës.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!