Nga Muçi me dashuri/ Mediat turke me lavde të mëdha për yllin kuqezi pas dy golave
Kur shkëlqen të duan të gjithë. Kështu po ndodh me Ernest Muçin, i cili ishte thuajse I harruar për muaj të tërë, ndërsa tani është njëri nga heronjtë e futbollit në Turqi.
Mjaftuan dy golat e tij, që i siguruan fitoren Trabzonsporit në ndeshjen dramatike e tashmë të paharruar në fushën e Bashaksehirsporit, që të përditshmet dhe portalet e Stambollit apo Ankarasë të shpërthejnë me komplimente.
“Kokëfortësia shqiptare, – titullon “Fanatik”, – Ernest Muçi dominoi një ndeshje, që Trabzonspor e fitoi në Bashaksehir, që do të mbahet mend për vite me radhë!”
“Fanatik” shton se Trabzonspor ka mundësi ta marrë kartonin e shqiptarit në fund të sezonit për 8.5 milionë euro.
E përditshmja tjetër e rëndësishme sportive, “Foto Maç”, ka batutën duke përshtatur titullin e filmit të njohur të viteve 60-të të shekullit të kaluar: Nga Muçi me dashuri!
Vetë shqiptari u tregua altruist pas ndeshjes, duke deklaruar, siç citon “Kuzej Ekspres” se “golat e mi mund të quhen golat e Batagovit”, pra duke ia dhënë meritën shokut të ekipit që I dha asistet.
E njëjta media shkruan se Muçi vendosi rekordin personal sepse për herë të parë shënoi dy gola në një ndeshje të Superligës turke, ndërsa thekson: Besoni tek Muçi!
“Gazeta Taka” shkruan: Mirëse erdhe Muçi! Shqiptari shkëlqen në ndeshjen historike! Dy gola, arkitekt I fitores!
Cituar nga media “61.saat”, ish-ylli I Tiranës deklaron se është I lumtur që I dha fitoren ekipit, dhe se Trabzoni duhet të vazhdojë të luajë kështu!
Televizionet turke botojnë pamjet filmike të kamerave në lokalet e restorantet ku tifozët e skuadrës ndoqën ndeshjen, dhe festën e tyre të çmendur pas golit të fitores 4-3 në minutën e 101-të.
Ernest Muçi po bën dy vjet në Turqi, dhe në 70 ndeshje ka 11 gola e 4 asistë.
Vetëm në Superligën turke numëron 9 rrjeta e 3 pasime për gol në 50 ndeshje.
Nuk harrohet goditja që i siguroi Beshiktashit finalen e Kupës së Turqisë në prill 2024, të cilën më pas e fitoi, duke shënuar për rezultatin final 1-0 në gjysmëfinale ndaj Ankaragyçysë.
Dihej që më parë se klasi nuk I mungonte, përkundrazi, ndoshta I duhet pak më shumë agresivitet, forcë fizike dhe vazhdimësi./abcnews.al