Barcelona kapitullon në Londër/ Chelsea triumfon 3-0, shkëlqen adoleshenti brazilian Estevao
Në Madrid e quajtën “një dush I realitetit”, sipas shprehjes kastiliane. Në Shqipëri do të thoshim “një dush I ftohtë”, dhe e vërteta është që Barcelona kuptoi në Champions se cili është niveli I vërtetë I saj.
Të paktën për momentin! Një ekip gjithmonë me pretendime të skajshme, që e cilëson veten më të madhin e botës dhe më shumë se një klub, u mund bindshëm 3-0 nga Çelsi në “Stemford Brixh”.
Kjo, pak javë pas disfatës në shtëpi 2-1 me Paris SG, ndërsa në kampionat është humbur El Klasiko në fushën e Realit.
Ka shumë dyshime këtë sezon për skuadrat e La Ligës, por kjo e Barcelonës është një hall i madh. E vërtetë, që kartoni I kuq I Ronald Arauhos prishi shumë punë, sepse u mos në rezultatin 0-1, dhe në fund të pjesës së parë, por përshtypja është se kapitullimi ka shkaqe më të thella.
Çelsi luajti më mirë, më shpejt, me më shumë dëshirë e motivim. Natyrisht, përballë ishte një Barçë pa Pedrin e Gavin, me mesfushë të sajuar, me një Kubarsi tepër të ri në qendër të mbrojtjes, dhe një Arauho që nuk dihet pse ka rënë kaq shumë nga forma.
Një autogol nga Kunde në 27’ hapi rezultatin, pastaj pas pushimit Estevao në 55’ dhe Delap në 73’ fiksuan shifrat 3-0. Nga Anglia, Uejn Runi, sot në rolin e analistit, ngriti në qiell kryeqytetasit: Një Çelsi absolutisht i pabesueshëm, paraqitja më e mirë në një kohë shumë të gjatë!
E përditshmja kryeqytetase, “London Ivning Standard” veçon Estevaon: Çelsi shkatërron blaugranët me një paraqitje në Champions si dikur! Fëmija magjik brazilian I fiku dritat Barcelonës në “Stemford Brixh”!
Nga Katalonja patjetër që kritikat ishin me tone të forta, dhe Gazeta “El Mundo Deportivo” titullon: E shpërfytyruar! Barça, larg nivelit të saj, pëson një nokaut të vërtetë!
E përditshmja tjetër, “Sport” është gjithashtu lakonike: Kështu jo, Barça, me foton e Arauhos në momentin e përjashtimit! Trajneri Italian i anglezëve, Enco Mareska, deklaroi se paraqitja e ekipit të tij ishte më e mira e mundshme, se fitoja la shije shumë të mirë dhe se objektivi është trofeu në Champions.
Kur e thotë tekniku I skuadrës kampione të botës duhet marrë seriozisht. Barcelona ndodhet jashtë zonës së 8 ekipeve të para që shkojnë direkt në raundin e dytë, dhe rrezikojnë të luajnë plej ofin me vetëm 7 pikë.
Çelsi nga ana tjetër tregoi pretendimet e mëdha në këtë konkurrim, ndonëse edhe anglezët duhet të luftojnë për kualifikimin e menjëhershëm, duke pasur 10 pikë.