Tajvani merr masa shtesë, rrit buxhetin për mbrojtjen përballë kërcënimeve të shtuara të Kinës
Tajvani do të paraqesë një buxhet shtesë të mbrojtjes në vlerë prej 40 miliardë dollarësh për të theksuar vendosmërinë për t’u mbrojtur përballë kërcënimit në rritje nga Kina, tha presidenti Lai Ching-te më 26 nëntor.
Kina, që e sheh ishullin vetëqeverisës të Tajvanit si pjesë të territorit të saj, ka rritur presionin ushtarak dhe politik gjatë pesë vjetëve të fundit për të forcuar pretendimet e saj territoriale, që Taipei i kundërshton.
Teksa Tajvani përballet me thirrje nga Uashingtoni për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen e tij, Lai tha në gusht se ai shpresonte të rriste shpenzimet për mbrojtje deri në 5 për qind të GDP-së deri më 2030.
Duke zbuluar paketën në vlerë prej 39.89 miliardë dollarësh, Lai tha se historia ka dëshmuar se përpjekjet për të bërë kompromise në dritë të agresionit nuk sjellin asgjë tjetër përveç se “skllavëri”.
“Nuk ka vend për kompromis sa i përket sigurisë kombëtare”, tha ai gjatë një konference për media.
“Sovraniteti kombëtar dhe vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë janë vetë themeli i shtetit tonë”, shtoi ai.