“Kam derdhur lot nga dhimbjet” / Ish-futbollisti shqiptar drejt rekordit që askush s’e ka thyer 23 vite
schedule11:48 – 19 Nëntor, 2025
Krenar Kasumi, ish-futbollist dhe sportist nga Kosova, është gati të bëhet shqiptari i radhës në Librin Guinness. Ai po përgatitet për të thyer rekordin botëror në përdorimin e makinerisë së lundrimit Concept2 brenda 24 orëve. Rekordi aktual mbahet nga britaniku David Harris që prej vitit 2001, me distancën mbi 307 km. Krenari synon ta çojë emrin e Kosovës në librin më të famshëm të rekordeve në botë.
Ai tregon se për 6 muaj ka bërë një regjim të hekurt stërvitor. Çdo ditë ka punuar 7 orë, ndërsa pushimi i tij ka përfshirë 3 orë gjumë të detyruar në drekë. “Kam pasur dhimbje aq të mëdha, sa kam derdhur edhe lot,” rrëfen ai. Megjithatë, vendosmëria për të arritur qëllimin nuk e ka lënë asnjëherë.
Kasumi thotë se e gjitha kjo bëhet për dy arsye: për Kosovën dhe për vajzën e tij të porsalindur, Boren. Ai tregon se britaniku është rikthyer për të thyer rekordin e vet, por nuk ka mundur ta përfundojë sfidën. “Unë jam shumë afër,” shprehet me bindje. Mjekët e kanë quajtur “të çmendur”, por ai nuk tërhiqet.
“Kur u tregova për planin, më thanë se nuk jam mirë. Më paralajmëruan për rreziqet,” thotë ai. Por Krenari beson se do t’i përballojë 24 orët vendimtare dhe premton se në fund do të ngrerë flamurin e Kosovës. “Kriza më e madhe është natën, atëherë e ndjej vërtet vështirësinë,” shton ai.
Kasumi ka një histori të gjatë në sport. Ai ka nisur futbollin 17 vjeç në Suedi. Ka luajtur me Kombëtaren e Kosovës dhe me Shqipërinë U-21. Më pas është transferuar në Baku, ku tre dëmtime të ligamenteve e detyruan të heqë dorë nga futbolli. Pasi arriti peshën 102 kg, vendosi të mos dorëzohej.
Sfida e tij po dokumentohet dhe do të shfaqet në Netflix. “Kjo është dhurata ime për vajzën që më bëri baba për herë të parë,” përfundon ai. Dhe tani, Krenar Kasumi është vetëm një hap larg një rekordi që pritet të bëjë krenare gjithë Kosovën e Shqipërinë. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

