Boniek pret ta shohë “pleqërimin” e Lewandowskit në SHBA ose futbollin arab
24 Dhjetor 2025
8:42
Alfred Lleshi
Zbigniew Boniek foli për Robert Lewandowskin në “TVP Sport” dhe opsionet e tij nëse nuk rinovon me Barcelonën në verë. “Është një proces i pashmangshëm. Robert është 37 vjeç dhe është plakur pak. Sa kohë luan futboll, do të shënojë gola, por nuk është më ai i disa viteve më parë. Kapiteni po plaket me dinjitet dhe shpresoj ta shoh në SHBA ose ndonjë vend arab sezonin e ardhshëm. Do të luajë edhe dy vite për të fituar pak para shtesë”, – tha Boniek.
Chicago Fire, sipas “Mundo Deportivo”, u takua më 14 dhjetor me Robert dhe agjentin e tij Pini Zahavi në Barcelonë. Boniek e përjashton Serie A: “Nëse do të përfundonte në ‘San Siro’, do të kishte probleme. Të luash në Itali është më e vështirë se në Spanjë. Milani nuk paguan si spanjollët. Të jesh sulmues në Serie A do të thotë përplasje të vazhdueshme”.
Megjithatë, ai e lavdëroi Lewandowskin: “Pa dyshim, një nga më të mirët, për disa më i miri polak i historisë… Ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mund të luajë edhe pak kohë më shumë”.