Xhaka, “armik” në Prishtinë/ Tifozët nuk ia falin deklaratat për Hajdarin dhe Avdullahin
schedule12:42 – 19 Nëntor, 2025
Nuk dihej nëse e kishte menduar një pritje të tillë.
Granit Xhaka kaloi një nga mbrëmjet më të vështira të karrierës dhe kjo pikërisht në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, pra në Kosovën e origjinës së tij.
Dardanët u ndeshën me Zvicrën në eliminatoret e Kupës së Botës, dhe një pjesë e tifozëve, sidomos ultrasit, e vërshëllyen kapitenin e helvetëve, madje sa herë që kapte topin.
Përse?
Besohet për shkak të deklaratës së tij pak ditë më parë për të përditshmen zvicerane “Blik”, se dy futbollistë, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahi bënë gabim që nuk pritën Zvicrën, por kaluan te Kosova, dhe se ata nuk do të kishin pasur minutazh në ekipin e tij përfaqësues.
Kjo duket se ka peshuar më shumë, të paktën në atë moment, sesa kontributi I Xhakës për imazhin e shqiptarëve dhe Kosovës, me festimet me shqiponjë, që I kanë kushtuar edhe kritika e presion nga publiku dhe mediat helvete.
Kapiteni luajti 78 minuta, për t’u zëvendësuar, ndërsa pati një pjesë të tifozëve në tribunën kryesore që e brohoritën.
Ai u duk se pati një përplasje me kreun e grupit të tifozëve “Dardanët”, ndonëse kjo u mohua në deklaratat pas ndeshjes.
Xhaka deklaroi më pas se I dhemb që e vërshëllyen në Prishtinë, por shtoi se nuk ka ç’bën tjetër përveçse ta përballojë këtë moment.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

