SPOK, “sëmundja e duhanit”/ Shkatërron mushkëritë, mjekët: Duhanpirësit, më të prekur
Nëse jeni duhanpirës aktiv prej 10- 15 vitesh dhe keni kollë të shpeshtë shoqëruar me sekrecione apo vështirësi në frymëmarrje kryeni një kontroll tek mjeku. Apeli vjen nga penumologët në ditën botërore të SPOK, sëmundjes pulmonare obstruktive kronike.
“Karakterizohet nga inflamacion i përsëritur i rrugëve respiratore dhe shfaqet me ngushtim te rrugëve respiratore në momentin qe shfaq kollë me sekrecione, vështirësi në frymëmarrje, rëndesë në gjoks, është në gjendje që pavarësisht moshës të bëjë ekzaminim të nevojshëm për SPOK”, tha mjekja.
Rreth 12% e popullsisë në botë vuan nga sëmundja e mushkërive. Në vendin tonë mjekët thonë se me uljen e moshës së nisjes së duhanit që konsiderohet shkaku kryesor është ulur mosha e të prekurve dhe shtuar numri i tyre.
“Nëse më përpara mendohej se ishte një sëmundje e moshave mbi 45 vjeç ose mbi 50 -60 vjeç, tani këto simptoma të SPOK fillojnë më herët, që 30 vjeç, 40 vjeç dhe më lart. Kush janë faktorët kryesorë, një më të rëndësishmit është duhanpirja, mendohet 10, 20 edhe 30% e duhanpirësve me kalimin e viteve mund të zhvillojnë një sëmundje të spokut. Faktorë të tjerë janë kushtet ambjentale, punët në kompani me pesticide, ekspozimi ndaj duhanprijes”, shtoi mjekja.
Edhe pse është një sëmundje e parandalueshme dhe trajtueshme mjekët thonë se shumë persona nuk marrin trajtimin e duhur se e zbulojnë vonë.
“Fillimisht mund të kemi një inflamacion të lehtë të rrugëve respiratore të cilat duke u përsëritur shkakton një bronkit kronik, më pas vijon me një bronikt të riakutizuar, shkon në një emfizemë pulmonare duke shkaktuar dhe pjesën e alveolave dhe gjithë parenkimën. Sëmundja pulmonare obstructive kronike nuk është një sëmundje akute, ajo zhvillohet duke u ekspozuar vazhdimisht ndaj faktorëve riskantë duke filluar nga format më të lehta tek më të rëndat”, përfundoi ajo.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit këtë sëmundje të mushkërive si shkakun e katërt të vdekjeve në botë, por që shpesh mbetët e pa diagnostikuar ose e diagnostikur gabim./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!


