Tragjedia me 63 viktima në diskotekën e Koçanit / Nis gjyqi për të pandehurit
schedule15:24 – 19 Nëntor, 2025
Në Shkup ka nisur të mërkurën gjyqi për zjarrin tragjik që përfshiu klubin e natës “Pulse” në Koçan gjatë muajit mars, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 170 të tjerë u plagosën.
Më shumë se 30 persona, përfshirë edhe tre subjekte juridike, po përballen me akuzat për rrezikim të sigurisë publike dhe mosrespektim të procedurave të sigurisë. Sipas autoriteteve, zjarri u shkaktua nga flakadanët e ndezur gjatë një performance hip-hopi, të cilët dogjën tavanin e lokalit të mbushur me njerëz. Hetimet zbuluan se klubi nuk kishte licencë të rregullt dhe mungonin daljet emergjente e mjetet bazë të fikjes së zjarrit.
Të pandehurit u sollën me pranga nga paraburgimi në Gjykatën e Shkupit, ndërsa dhjetëra familjarë të viktimave ishin të pranishëm në sallë.
“Kemi respekt për dhimbjen e familjarëve. Secili do të ketë të drejtën të paraqesë versionin e tij dhe të propozojë prova. Procesi do të jetë transparent,” deklaroi gjykatësja kryesuese, Dijana Gruevska-Ilievska, sipas mediave lokale.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të gjerë publik dhe protesta në gjithë vendin, me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për tragjedinë që goditi kryesisht të rinj.
/ abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!
