Për herë të parë pas grushtit të shtetit, Myanmar mban sot zgjedhje parlamentare
Në Myanmar po mbahen sot zgjedhjet parlamentare, për herë të parë që nga grushti ushtarak i shtetit i ndodhur gati pesë vjet më parë në këtë vend të Azisë Juglindore. Autoritetet ushtarake në pushtet kanë shpallur fundin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kanë caktuar zgjedhjet për fundin e korrikut.
Faza e parë e procesit zgjedhor zhvillohet sot, ndërsa dy faza të tjera janë planifikuar të mbahen gjatë muajit të ardhshëm. Ende nuk është e qartë se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare, por pritet që kjo të ndodhë në fund të janarit.
Megjithatë, zgjedhjet janë kritikuar ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut. Human Rights Watch i ka cilësuar ato si një “parodi”, duke theksuar se procesi zgjedhor synon vetëm të legjitimojë pushtetin e gjeneralëve në krye të vendit.
Votimi pritet të zhvillohet kryesisht në zonat zgjedhore të kontrolluara nga junta ushtarake. Sipas vlerësimeve, grupet e rezistencës dhe formacionet guerile kontrollojnë tashmë më shumë se 50% të territorit të Myanmarit, duke kufizuar ndjeshëm shtrirjen e procesit zgjedhor.
Ushtria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pasi rrëzoi nga pushteti udhëheqësen e zgjedhur në mënyrë demokratike, Aung San Suu Kyi, gjatë grushtit të shtetit më 1 shkurt 2021. Më pas, junta shtyu disa herë mbajtjen e zgjedhjeve, duke përmendur përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe dhunën në vend.
Që prej grushtit të shtetit, Myanmari është përfshirë nga paqëndrueshmëria dhe dhuna, me autoritetet ushtarake që kanë shtypur me forcë çdo formë rezistence. I izoluar pothuajse plotësisht në arenën ndërkombëtare, vendi është goditur edhe nga fatkeqësi natyrore, përfshirë një tërmet të fuqishëm në fund të marsit, i cili shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve.
© BalkanWeb